Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot duhet të shqiptohet aktvendimi për rastin “Monstra” për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012.
Rastin “Monstra” e udhëheq gjykatësi Ognen Stavrev, ndërsa përfaqësues të palës akuzuese janë Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski.
Në fjalën përfundimtare, prokurorja Fatime Fetai, kërkoi dënime maksimale për të akuzuarit Halil Demiri dhe vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailloviq, të akuzuar për veprën penale “terrorizëm”, gjegjësisht kryerje direkte të vrasjes së pesëfishtë të pesë personave në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012. Për të akuzuarin Fejzi Aziri, prokurorja Fetai kërkoi nga Gjykata që ai të shpallet fajtor për dy vepra penale ndihmë të autorit të rastit për kryerjen e veprës penale. Për vepra të njëjta penale, si Fejzi Aziri, është akuzuar edhe Haki Aziri. Në mungesë të dëshmive se e ka kryer veprën penale “terrorizëm” nga aktakuza është liruar Sami Luta.
Pala mbrojtëse e të akuzuarve, në fjalën përfundimtare, tha se rasti “Monstra” është ndryshuar tërësisht dhe është sinonim i rastit “Drajfus”, me atë që ka pasoja shumë më të mëdha sepse gjashtë persona të pafajshëm ishin dënuar me burg të përjetshëm. sipas tyre, është e dukshme se prokuroria nuk ka siguruar dëshmi të mjaftueshme dhe vetëm indikacione të kota dhe nuk i dëshmon supozimet për motive të mundshme.
Nga ana tjetër, mbrojtja e familjeve të viktimave, në fjalët përfundimtare Gjykatën e porositi se ka obligim edhe ndaj familjeve, por edhe ndaj gjithë publikut që të japin përgjigje se çka ka ndodhur më 12 prill të vitit 2012 dhe përsëri kërkoi ekstradimin e dy të akuzuarve nga Kosova.
Pas fjalëve përfundimtare të prokurorisë, në Shkup u mbajt protestë e anëtareve të familjeve dhe mbështetësve të të akuzuarve, në të cilën ishte kërkuar shkarkimi i prokurores Fatime Fetai dhe bashkësia ndërkombëtare të intervenojë që të ketë drejtësi në rastin “Monstra”, ku sipas protestuesve, ndiqen persona të pafajshëm.
Në procedurën paraprake për vrasjen e djemve Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Axhkovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatarit Borçe Stefanovski me burg të përjetshëm ishin dënuar Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailloviç, Ezim dhe Haki Aziri dhe Sami Luta. Gjykata Supreme në dhjetor të vitit 2017 i shfuqizoi akuzat, i liroi nga paraburgimi të dënuarit Agim Ismailloviq, Haki Azirin, Sami Lutën dhe Fejzi Azirin dhe iu përcaktoi masën e kujdesit.
Pas shfuqizimit të gjykimeve, lënda ishte kthyer në gjykim të serishëm dhe rastin në mars të vitit 2018 e ndërmori PSP-ja. Në shtator të vitit 2019 lëndët e PSP-së i ndërmori Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe u ishin besuar prokurorëve publikë të cilët deri atëherë vepronin për lëndët konkrete.