I akuzuari Sasho Mijallkov rregullisht është paraqitur në të gjitha seancat, nëse të premten pas përfundimit të seancës, Prokuroria kërkonte paraburgim do të interpretohej si prejudikim i aktvendimit, ka deklaruar sonte shefja e Prokurorisë publike për ndjekje të krimit të organizuar, Villma Ruskoska në emisionin “360 Gradë” në Televizionin Alsat-M.
Për atë pse Prokuroria nuk ka kërkuar paraburgim të premten, pas përfundimit të seancës për rastin “Target- Fortesa”, Ruskoska ka thënë se ekzistojnë dy arsye.
“E para është se nuk kemi pasur mundësi ligjore, pasi i akuzuari Sasho Mijallkov i ka respektuar masat preventive të shqiptuara nga gjykata dhe rregullisht paraqitej në të gjitha seancat. E dyta, arsye shumë më e rëndësishme është ajo se nëse në atë moment Prokuroria kërkonte paraburgim, mundej dhe do të interpretohej si prejudikim i aktvendimit”, ka thënë Ruskoska.
Derisa gjykata nuk e ka bërë të njohur aktvendimin, Ruskoska ka thënë se secili është i pafajshëm.
Ka shtuar se të shtunën pas orës 12.30 në mesditë, pasi ka marrë informatë operative nga burim i saj personal se është e mundur arratisje e Mijallkovit, ka realizuar kontakt me ministrin për Punë të Brendshme i cili i ka thënë se do t’i kontrollojë informacionet që i ka marrë.
“Diku në orën 15, nuk e di saktë, më është paraqitur ministri dhe më ka lutur atë që ia thash në telefon, ta shkruajë edhe në letër dhe t’ia dorëzoj. Unë e bëra të njëjtën dhe e dorëzova njoftimin. Tani nuk e di nëse ka qenë ora 16:30 ose 17, nuk i kushtova vëmendje dhe diku në orën 22:30 më sollën njoftim nga policia, ose njoftimin e njëjtë që unë e dërgova vetëm me të dhëna të përgjithësuara për të akuzuarin Mijallkov. Unë e lajmërova drejtorin e policisë, e pyeta nëse kanë vendosur kontakt me Agjencinë për siguri kombëtare dhe nëse ata kanë ndonjë njohuri me çka drejtori më tha se Agjencia për siguri kombëtare nuk ka njohuri për arratisjen e Sasho Mijallkovit. Jam dëgjuar edhe me Prokurorin publik dhe ai më pyeti se sa është i sigurt informacioni. Unë i thash se kjo është informatë operative nga burim i imi personal. Dhe ramë dakord të shohim ditën e nesërme. Pastaj në komunikim me prokuror të Maqedonisë së Veriut kam tentuar ta gjejë, të vendos kontakt me burimin tim, të pyes se sa i sigurt është informacioni. Me të njëjtin kam arritur të dëgjohem diku në mesditë me çka tani nuk mund të zbuloj detaje, por në shkallë prej 1 deri në 10, informacioni është diku 7”, ka thënë Ruskoska në intervistën për “360 Gradë”.
Ajo nuk ka dashur të spekulojë se ku është lëshimi, por ka hedhur çfarëdo përgjegjësie të Prokurorisë. Ka thënë se për të si prokurore dhe si njeri është e tmerrshme që arratisjet po përsëriten.