Në kushte kur Bashkimi Evropian nuk po arrin të shpërndajë vaksina kundër virusit korona në Ballkanin Perëndimor, shtetet e rajonit në kërkim të tyre kthehen kah Kina dhe Rusia, gjë të cilës i parapriu Serbia, thekson portali i Brukselit “Politiko”.
Sipas medias, një nga vendet e rajonit i cili i ndjek hapat e Beogradit është edhe Maqedonia e Veriut, ku ende askush nuk është vaksinuar.
“Pasi dërgesa e parë nga mekanizmi KOVAKS në vend pritet të arrijë në mars, Qeveria proevpropiane vendosi të negociojë me Kinën në përpjekje që më shpejtë të sigurojë vaksina. Shkupi, gjithashtu, është në bisedime të drejtpërdrejta me “Fajzer” për furnizim të rreth 800.000 vaksinave, të cilat shpreson se do t’i marrë gjatë këtij muaji”, thekson “Politiko”.
Portali transmeton një deklaratë të ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili tha se ky hap nuk duhet të shihet si shpërqëndrim i vendit nga Unioni.
“Nuk konsideroj se kjo është situatë politike dhe gjeopolitike, kjo është çështje e shëndetit publik. Të gjithë përballemi me sfida në qasjen në vaksina. Vendet e BE-së përballen me sfidat e tyre. E shohim se mekanizimi për solidaritet evropian po shtyhet, por nuk është i pasuksesshëm”, tha Filipçe për “Politiko”.
Portali i Brukselit e citon edhe epidemiologun Dragan Danillovski, i cili tha se madje edhe para miratimit të vaksinave nga ana e Agjencisë Evropiane për Ilaçe, e gjithë sasi e tyre e prodhuar është blerë prej më parë, ndërsa vendi ka mbetur që të presë kohë më të mira.
“Si me shembullin e ‘Titanikut”, anijet e shpëtimit së pari ishin mbushur me udhëtarët e pasur, ndërsa të varfrit u mbytën. Këtë herë në vepër e kemi matricën e njëjtë psikologjike. Në momente kritike, secili angazhohet së pari të sigurojë vetveten”, tha Danilovski, i cili gjatë kësaj shfaq dyshim se dërgesat nga mekanizmi KOVAKS do të arrijnë sipas asaj që është planifikuar.
“Politiko” shton se përveç Serbisë, e cila vetë u furnizua me vaksina nga disa burime, në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, vaksinimi po realizohet vetëm edhe në Shqipëri, “falë një burimi anonim të BE-së, i cili i dërgoi Tiranës një dërgesë simbolike prej 975 dozave”.
Sipas portalit, e gjithë kjo përfaqëson përkujtim të pakëndshëm për BE-në se po përballet me luftë të fuqishme për ndikim në fqinjësinë e saj, ku po rriten frustrimet për shkak të ngadalësimit të procesit të anëtarësimit nga rajoni në Union.
“Vetë vaksinimi e rrit atë frustrim. Katër nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor fillimisht do t’i marrin dozat e para edhe krahas premtimeve nga Brukseli që t’iu sigurojë qasje (në vaksina). Komisioni Evropian premtoi 70 milionë euro që të ndihmojë në vaksinimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si plotësim i 500 milionë euro të cilat Unioni i siguroi për mekanizmin KOVAKS, i cili ka për qëllim që të garantojë qasje të drejtë në vaksinat kundër virusit korona përgjatë gjithë botës”, thuhet në analizë.
“Politiko” thekson se deri më tani ende nuk ka kornizë kohore kur vaksinat nga ky mekanizëm do të arrijnë në vendet e rajonit, përderisa në të njëjtën kohë shtetet e pasura iu japin prioritet planeve të tyre të vaksinimit.
“Pritja e vaksinave në kohë kur anëtarësimi drejtë BE-së duket si perspektivë e largët, përfaqëson rrezik për shtyrjen e Ballkanit Perëndimor edhe më larg Unionit. Duke e ndjekur shembullin e Serbisë, vendet e rajonit, të cilat kanë shkallë më të lartë të vdekshmërisë për kokë banori gjatë pandemisë, gjithashtu, fillojnë të kërkojnë ndihmë në Lindje, përfundon “Politiko”.