Përmes mekanizmit KOVAKS, Maqedonia e Veriut do të marrë 103.200 doza të vaksinave kundër Kovid-19, nga gjithsej 337,2 milionë, të cilat kjo Nismë e KB-së planifikon t’i dërgojë në gjysmën parë të këtij viti në 145 vende të botës.
KOVAKS do të mbulojë shpenzimet për furnizim të vaksinave për 92 vende të varfra, përderisa të tjerat do t’i marrin me çmime të kapshme.
Sipas An Lingstrand nga OBSH, dërgesat mund të fillojnë nga fundi i shkurtit.
Vendet do të marrin doza proporcionalisht me numrin e popullatës.
Më së shumti do të marrë India (97,2 milionë), më pas Pakistani (17,2 milionë), Nigeria (16 milionë), Indonezia (13,7 milionë), Bangladeshi (12,8 milionë), Brazili (10,6 milionë), Kenia (4,2 milionë), Sudani (3,4 milionë), Jemeni (2,3 milionë) dhe Siria (1,02 milionë).
Në mesin e vende të rajonit, Serbia do të marrë më së shumti – 345.600, më pas Bosnja e Hercegovina – 177.000, Shqipëria – 141.600, Maqedonia e Veriut – 103.200, Kosova – 100.800 dhe Mali i Zi – 84.000 doza të vaksinës.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe pardje deklaroi se këtë muaj vaksinimi do të fillojë me 200.000 vaksina kineze. Data e dërgesës së vaksinave do të dihet këto ditë.
Derisa priten vaksinat, gjendja me KOVID-19 në vend edhe më tej po stabilizohet. Dje u regjistruan 373 raste të reja nga 2107 testime. Vdiqën shtatë persona, ndërsa u regjistruan 638 persona të shëruar.
Deri më tani në vend janë bërë gjithsej 463.957 testime për Kovid-19.
Numri i përgjithshëm i persona të diagnostikuar me Kovid-19 në vend prej fillimit të epidemisë është 93.882, numri i pacientëve të shëruar është 83.424, i të vdekurve 2.900, ndërsa numri i rasteve aktive është 7.558. Më së shumti raste aktive ka në Shkup-3802, në Ohër-411, Kavadar-379, Kumanovë-311. Në qytetet e tjera për momentin ka nën 300 raste pozitive me koronavirus.
Në repartet infektive në vend po mjekohen 560 pacientë me Kovid-19. Në kovid-qendrat e spitaleve të vendit është paraqitur se po mjekohen gjithsej 326 pacientë, ndërsa në Shkup 234 persona. Në spitale ka rreth 580 shtretër të lirë spitalorë.
Në SPQ “8 Shtatori” ka gjithsej 77 të sëmurë, ndërsa në Klinikën për sëmundje infektive janë të shtrirë 81 pacientë, përderisa në Institutin për sëmundje të mushkërive tek fëmijët Kozle ka 12 pacientë. Dje pati rreth 90 vende të lira në spitalet e kryeqytetit.
Krahas stabilizimit të gjendjes me koronavirusin, situata është kritike në Klinikën për nefrologji, ku për momentin ka 32 punonjës shëndetësorë të sëmurë me Kovid-19.
Dy prej tyre janë të hospitalizuar në Klinikën për sëmundje infektive dhe gjendje febrile, ndërsa një teknik është i hospitalizuar në Klinikën për sëmundje të lëkurës.
Qendra për koordinim e përgjigjes euro-atlantike të NATO-s ndaj katastrofave (EADRCC) dje dhuroi 60 komplete të pajisjeve për ventilatorë për Ministrinë e Shëndetësisë, mundësuar me mbështetje financiare nga Çekia, Lituania, Holanda, Britania e Madhe dhe SHBA-ja.
Pajisja është e dedikuar për KOVID-19 në Shkup, Tetovë, Shtip, Manastir, Ohër dhe Prilep.
Dje ambasadori japonez Hironori Savada dhe drejtoresha ekonomike e Klinikës për sëmundje infektive de gjendje febrile, Mirjana Peçevska Pop-Iliev, në prani të ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe nënshkruan marrëveshje për grant japonez, me të cilin Klinika për sëmundje infektive do të marrë makinë për riciklim të mbeturinave mjekësore. Me atë makinë do të rritet siguria e personelit mjekësor dhe pacientëve përmes mënjanimit të shpejtë dhe të sigurt të mbeturinave infektuese dhe të rrezikshme.
Ministri Filipçe shprehi falënderim për mbështetjen që Japonia ia ofron vendit tonë tashmë me vite, posaçërisht në këto momente kyçe të pandemisë me kovid-19.
Falënderim për popullin japonez dhe ambasadën shprehi edhe drejtoresha ekonomike e Klinikës, Peçevska Pop-Iliev.