Armata pritet prej sot të përfshihet në sigurimin e institucioneve shëndetësore të cilat do ta kërkojnë këtë. Do të sigurohen klinikat në Shkup, spitalet më të mëdha në Shkup, si dhe spitalet në Tetovë, Manastir, Gostivar, Dibër, Kumanovë, Shtip, Veles.
Ministrja e Mbrojtjes Radmillla Shekerinska, pas takimit të djeshëm me ambasadoren britanike Rejçel Galovej, deklaroi se Qeveria e ka dërguar kërkesën deri te presidenti i shtetit dhe komandant suprem të forcave ushtarake që ai ta miratojë.
Shekerinska sqaroi se mbrojtja e këtillë do të funksionojë jashtëzakonisht me kërkesë të institucioneve shëndetësore.
“Është përgatitur lista nga Ministria e Shëndetësisë dhe me nismë të çdo institucioni do të fillojmë me vendosjen e forcave. Do të përfshihen pjesa më e madhe e klinikave në Shkup dhe spitalet më të mëdha si “8 Shtatori” dhe të tjerat në qytet dhe në qendrat më të mëdha, si në Tetovë, Manastir, Gostivar, Dibër, Kumanovë, Shtip, Veles. Të gjithë që kanë shprehur interes do të marrin mbështetje”, theksoi Shekerinska.
Ajo sqaroi se qëllimi i angazhimit të armatës, siç sqaroi, është që të mundësojë që çdo spital, çdo klinikë në Shkup të mund të konsiderojë se mjekët, infermieret dhe pacientët janë të mbrojtur dhe se kjo është punë e policisë dhe armatës tani.
Presidenti i shtetit dhe komandant suprem i forcave ushtarake Stevo Pendarovski, përfshirjen e armatës në sigurimin e institucioneve shëndetësore e paralajmëroi pas shpalljes së gjendjes së krizës në të gjithë territorin në kohëzgjatje prej 30 ditëve.
“Konsideroj se ndihma dhe mbështetja e këtillë është më shumë se e nevojshme për autoritetet shëndetësore dhe për policinë, të cilat tashmë nëntë muaj me radhë, natë e ditë po luftojnë me pandeminë dhe janë të dërmuar”, ka shkruar Pendarovski në Fejsbuk të shtunën, ditën kur u shpall gjendja e krizës.
Në Prilep, megjithatë, kryetari Ilija Jovanovski, për shkak të gjendjes së përkeqësuar me Kovid-19, kërkon të vendoset karantinë. Kërkesa e tij do të shqyrtohet nesër nga Komisioni për Sëmundje Infektive, i cili duhet të marrë vendim nëse do ta miratojë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski dje tha se gjendja në Prilep është alarmante dhe të premten Komisioni për Sëmundje Infektive do ta shqyrtojë këtë si problem.
Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë, në Prilep ka 1021 raste aktive. Prilepi është qyteti i dytë me më shumë raste aktive, menjëherë pas Shkupit, i cili ka 10130.
Prej 1.288 të sapoinfektuarve të regjistruar në 24 orë, nga Prilepi janë 78, ndërda nga Shkupi janë 570. Në Tetova janë aktivë 965, Kumanovë 939, Gostivar 862, Manastir 808, Veles 711. Në qytetet e tjera janë nën 600 të infektuar.
Dje janë regjistruar edhe një numër i madh i rasteve të vdekjeve, gjithsej 39, Prej të vdekurve madje 16 janë nga Shkupi (79, 80, 54, 70, 68, 54, 68, 82, 84,68, 76, 75, 71, 60, 73, 56 vjeç), dy nga Kumanova (70 dhe 62 vjet), një pacient nga Dibra (87 vjet), një nga Shtipi (71 vjet), tre nga Prilepi (86, 76, 68 vjeç), katër pacientë nga Tetova (53, 72, 67, 66 vjeç), dy nga Struga (68 dhe 69 vjeç), dy nga Velesi (67 dhe 78 vjeç), dy nga Ohri (68 dhe 73 vjeç), një pacient nga Strumica (72 vjeç), një nga Demir Hisari (65 vjeç), një nga Berova (79 vjeç), dy nga Kërçova (60 vjeç dhe 41 vjeç) dhe një pacient nga Negotina (40 vjeç).
Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me kovid në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 57.451 numri i pacientëve të shëruar është 34.970, i të vdekurve është 1.600, ndërsa numri i rasteve aktive është 20.881.
Në Shkup më shumë të infektuar ka në Gazi Babë – 1.490, Aerodrom -1.474, Karposh – 1.186, Qendër – 1.173, Kisella Vodë – 1.245, Gjorçe Petrov – 874,Çair – 639, Butel – 584. Në komunat e tjera ka më pak se 300.
Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor ( ISHSSH) po kryen nëntë inspektime të jashtëzakonshme për pacientë në moshën më të re, të cilët fatkeqësisht e humbën betejën me Kovid-19.
Drejtoreshae ISHSH Irinka Sotirova Buhova dje theksoi se nga fillimi i pandemisë e deri më sot ISHSSH filloi dhe përfundoi 21 inspektime të jashtëzakonshme. Për të njëjtit, ata kanë iniciuar fillimin e mbikëqyrjeve të jashtëzakonshme profesionale, të cilat nuk kryhen nga ISHSSH, të bëhen nga Ministria e Shëndetësisë ose Oda Mjekësore.
Në vend gjithsej janë hospitalizuar 1297 pacientë.
Edhe krahas numrit të madh të të infektuarve dhe të vdekurve, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska thotë se kjo nuk reflektohet në shkollat, ku, siç tha, nuk ka përhapje të virusit dhe për këtë konsideron se propozimi i opozitës për pushimi të parakohshëm është i paargumentuar
Gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021 do të përfundojë në fund të vitit, ndërsa sërish do të fillojë më 21 janar të vitit 2021, tha Carovska, e cila informoi se numri i nxënësve të infektuar dhe mësimdhënësve në mësimin me prezencë fizike në të gjithë shtetin është më pak se 1 për qind.