– Qëndrimi i Qeverisë është se ende nuk ka ardhur koha për orë policore dhe se masat e miratuara nga aspekti shëndetësor japin rezultate, por ne po monitorojmë gjendjen shëndetësore dhe me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive nëse ka nevojë do të reagojmë, porositi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
“Pasojat ekonomike janë të ndërlidhura me shtetrrethimin. Sa më e shkurtër të jetë koha e funksionimit të subjekteve ekonomike, aq më të dukshme janë humbjet. Thamë se do të përgjigjemi në mënyrë adekuate me masa ekonomike nëse është e nevojshme për shkak të krizës shëndetësore. Kemi realizuar gjithçka që është planifikuar deri në fund të vitit, shumica e dispozitave ligjore kanë kaluar në Kuvend dhe disa janë në procedurë. Konsideroj se deri në fund të vitit ne jemi të mbuluar nga aspekti i masave ekonomike për të luftuar ndikimin e rrezikut ekonomik të Kovid – 19”, tha Bytyqi në përgjigjen e një pyetje në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.
Ai theksoi se rritja eventuale e pagës minimale nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të ketë implikime të përshtatshme buxhetore, sepse, siç tha, paga minimale zbatohet jo vetëm në sektorin publik por edhe në sektorin privat.
“Jemi duke e përcjellë situatën. Prioriteti ynë i parë është gjendja shëndetësore dhe kur të kalojë dhe të fillojë rrjedha normale e jetës, temat e këtilla do të vijnë në rend. Mendoj se gjysma e parë e vitit 2021 do të përqendrohet në krizën shëndetësore dhe pasojat nga ajo, ndërsa deri në fund të gjysmës së parë të vitit të ardhshëm do të mund të përqendrohemi në tema të tjera”, tha Bytyqi.
Ai theksoi se një nga përparësitë më të larta mbetet angazhimi i Qeverisë për të zvogëluar administratën publike me 20 për qind, por prioritet, siç tha, është edhe të sigurohet funksionimi i qetë i të gjitha institucioneve qeveritare dhe organeve drejtuese.
“Me këtë rast duhet të forcohen kapacitetet atje ku efekti do të jetë më i madh, siç janë inspektoratet dhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Mbrojtjes. Mund të ketë pushime nga puna dhe zvogëlime të administratës, por nga ana tjetër ka nevojë për personel shtesë aty ku mungon. Analiza funksionale tregon se ka një mungesë në institucione të caktuara, por edhe mbipunësim në segmente të caktuara. Reduktimi i administratës publike nuk do të jetë i rëndësishëm në vitin 2021 dhe ai proces do të zgjasë pak më shumë, por në një periudhë të shkurtër nga një vit deri në një vit e gjysmë do ta arrijmë atë që e kemi premtuar për një administratë të reduktuar për 20 për qind”, specifikoi Bytyqi.
I pyetur për çka do të shpenzohen tre milionë eurot më shumë që janë parashikuar në Buxhetin parlamentar për vitin e ardhshëm dhe nëse do të dedikohen për rritjen e pagave të deputetëve, Bytyqi tha që kryetari i Kuvendit duhet të prononcohet për këtë.
“Në vitin 2020, u miratua Ligji për pavarësi financiare në Kuvend, sipas të cilit ata vetë duhet ta menaxhojnë Buxhetin që e kërkojnë. Ata kanë kërkuar që Qeveria të miratojë një Buxhet më të madh prej tre milionë eurosh dhe në përputhje me këtë kryetari i Kuvendit duhet të thotë se si do të shpenzohen ato fonde dhe ku do të shpërndahen paratë. Ato mund të përdoren për të rritur pagat e administratës sepse ligji parashikon që ata vetë të përcaktojnë nevojat e punësimit ose nevojat për shpërblime të ndryshme dhe kompensimin e vendeve të punës në Kuvend”, tha Bytyqi.