Qeveria para do kohë e pranoi iniciativën e sindikatave e diela të shpallet ditë jopune, ndërsa Ministria e Punës dhe Politikës Sociale tashmë është duke punuar në ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për marrëdhënie të punës. Përfaqësuesit sindikal konsiderojnë se e diela duhet të jetë ditë për pushim dhe ditë për familjen, por sektori i biznesit paralajmëron se kjo zgjidhje ligjore duhet të përpilohet mirë, të bëhen vlerësime për ndikimin në ekonominë dhe të shikohet se cilat degë, gjegjësisht operatorë ekonomik mund t’i lejojnë vetes që të mos punojnë, e cilat jo, para së gjithash për shkak të çrregullimit të procesit të punës. Kjo veçanërisht, siç theksojnë, për shkak se biznesi edhe ashtu është i ndjeshëm për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi korona.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale shprehen se në nivel ditor mbajnë takime koordinuese dhe takime pune me të gjithë faktorët që janë të prekur në miratimin e zgjidhjes së re ligjore, por nuk saktësojnë se në çfarë drejtimi lëvizin bisedimet. Sqarojnë se në kohë më të afërt do të dalin me propozim zgjidhje ligjore.
“Tashmë kemi mbajtur disa takime me Sindikatat si përfaqësues të punëtorëve, me përfaqësues të punëdhënësve, Lidhjen e Odave Ekonomike, por edhe me përfaqësues të ministrive të ekonomisë, financave, shoqërisë informatike. Të gjitha këto takime konsultuese janë në drejtim të asaj që të dëgjojmë qëndrimin dhe mendimin e të gjitha palëve dhe të arrihet zgjidhje e qëndrueshme që nuk do ta çrregullojë funksionimin e jetesës shoqërore nga njëra anë, por nga ana tjetër e diela për një numër dominues të punëtorëve do të jetë ditë jopune dhe ditë për familjen”, shprehen nga Ministria.
Theksojnë se kjo zgjidhje duhet doemos të ketë edhe përjashtime, duke marrë parasysh faktin se disa veprimtari janë me rëndësi vitale, si policia, shëndetësia, shërbimi zjarrfikës …
“Bëhet fjalë për çështje komplekse, është i domosdoshëm koordinim i plotë mes më shumë ministrive, për shkak se presim që në kohë më të afërt të kemi zgjidhje të para të përkufizuara”, bëjnë të ditur nga Ministria.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) janë të qëndrimit se pandemia në fakt ka treguar se e gjithë shoqëria mund të funksionojë edhe nëse e diela shpallet ditë jopune. Kjo zgjidhje, siç theksojnë, do të mundësojë që punëtorët të jenë më të kënaqur, më të pushuar, e me këtë edhe më produktiv.
“Në kushte të Krizës Botërore Shëndetësore, të shkaktuar nga Kovid-19, u tregua se është mësa e nevojshme që e diela të jetë ditë jopune për të gjithë punëtorët, ndërsa në periudhën e kaluar pamë se me masat e shpallura dhe orën policore që zgjati gjatë fundjavave e gjithë shoqëria mund të funksiononte edhe nëse e diela shpallet ditë jopune. Përkujtojmë se LSM-ja, krahas propozimeve të tjera për avancimin e legjislacionit të punës, e në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe sigurimin e balancimit mes punës dhe familjes, LSM-ja tashmë ka propozuar që ditë të pushimit javor të jetë e shtuna dhe e diela”, shprehet Darko Dimovski nga LSM-ja.
Tradicionalisht në shtet dhe në vendet e fqinjësisë sonë, shprehet Dimovski, pranohet se e shtuna dhe e diela janë ditë të pushimit javor për shkak të respektimit të traditave familjare dhe mbrojtjen e të drejtave që është në përputhje me Konventën e ONP-së nr. 106 për pushim javor.
“Analizat dhe shembujt tregojnë se punëtori do të jetë më produktiv, do të ketë më shumë kohë për familjen, për pushim dhe rindërtim profesional dhe arsimim plotësues, lidhur edhe me shëndetin e punëtorëve, ndërsa obligimet do të mund të mbarohen gjatë javës, e njëherësh të mos pësojë as biznesi, as punëtorët dhe qytetarët. LSM-ja konsideron se me avancimin e të drejtave të punëtorëve dhe me krijimin e kornizës juridike për respektimin e vlerave demokratike do të arrihet zgjidhje juridike me të cilën e diela do të jetë ditë jopune. Iniciativa e këtillë e LSM-së tashmë tregohet edhe në praktikë dhe një numër i madh i punëdhënësve në mënyrë arbitrare e shpallën të dielën ditë jopune, ky është shembulli që duhet ta ndjekin edhe punëdhënësit tjerë si edhe Qeveria”, bën të ditur Dimovski.
Ai shprehet edhe se në rajon e fundit ka qenë Sllovenia ajo që e ka vendosur të dielën jopune. Ne, shton ai, mund të ishim shembull për gjithë rajonin, por, ende mund t’u bashkëngjitemi shteteve të tjera të rajonit, e jo të jemi të fundit që do të vendosin këtë të drejtë të punëtorëve.
Qëndrimin për të dielën si ditë jopune e ndajnë edhe nga “Gllasen tekstilec” (Punëtori i zëshëm i tekstilit). Ata kërkoni që me ligj të ndalohet puna të dielën. Potenconin se zgjidhja duhet të jetë e përhershme, për shkak se, siç shprehen, në vend pronarët nuk kanë shprehi të paguajnë për punë të dielën, ndonëse ligji e parashikon këtë.
Nga “Gllasen tekstilec” druajnë nëse dhe çfarë zgjidhje do të miratohet, para së gjithash, siç theksojnë për shkak të presionit të mundshëm nga biznesi.
Vendosjen e së dielës si ditë jopune nga organizata joqeveritare “Gllasen tekstilec” e kanë kërkuar të nxitur nga hulumtimet dhe shqyrtimet se ka shumë ankesa për punë jashtë orarit të punës ose punës së papaguar së të punësuarve. Marrëveshje të tilla kanë marrë veçanërisht nga të punësuarit në industrinë e tekstilit, qendrat tregtare, ndërtimtari…
Punëdhënësit shprehen se janë dakord se është mirë që punëtorët të mos punojnë të dielën, që kjo ditë t’u jetë për familjen, të mund të vizitojnë vende turistike dhe rekreative, por theksojnë se kjo zgjidhje duhet doemos të mendohet mirë, të shihet se cilat veprimtari mund ta pranojnë këtë, e cilat jo. Gjithashtu, shprehen se duhet menduar nëse dhe sa do të ishin humbjet ekonomike në kushte kur ekonomia pëson dëme për shkak të krizës me Kovid-19.
“Jemi të vetëdijshëm se kjo ide që e diela të jetë ditë jopune është e mirë për punëtorët, një ditë të jenë së bashku me të afërmit e tyre, me familjen, të organizojnë drekë të së dielës, të kenë kohë për rekreacion, vizitë në vende rekreative…, por për shkak të nivelit tonë të zhvillimit ekonomik krahasuar me shtetet tjera mendojmë se nuk është mirë mbyllja e plotë e tërë ekonomisë të dielën. Ta marrim si shembull Slloveninë, të dielën nuk punon, por ama ka 26.600 dollarë për kokë banori, ndërsa ne kemi vetëm 6.200 dollarë. Nga ana tjetër, Bullgaria e cila ka rezultatet diçka më të mira se ne, e diela është jopune. Prandaj mund të ndodhë që njerëzit tanë të dielën të shkojnë në mënyrë masive në qendrat tregtare bullgare, të bëjnë Pazar dhe të lënë deviza atje”, shprehet kryetari i Organizatës së punëdhënësve, Angell Dimitrov.
Sipas tij, me një zgjidhje të këtillë, së pari do të vjen deri te ulja e të ardhurave të përgjithshme dhe qarkullimi prej 14 deri 20 për qind e atyre kompanive nga gastronomia dhe tregtia, që punojnë të dielën dhe ajo është ditë e rregullt e punës.
“Së dyti, ulja e të ardhurave me siguri do të rezultojë edhe me uljen e numrit të të punësuarve në shitjen, në logjistikën, po madje edhe në administratën e këtyre kompanive, por edhe deri ulja e të ardhurave e të punësuarve, për shkak se do të ketë më pak mjete, ndërsa edhe nuk do të marrin 50 për qind mëditje të rritur për punën të dielën, siç është parashikuar tani me ligj”, shprehet kryetari i Organizatës së punëdhënësve.
Ai shton se në këtë mënyrë, të shtunën do të shkaktojnë tollovi të mëdha në objektet e shitjes me pakicë për shkak se të gjithë do të duan të bëjnë pazarin, meqë këtë nuk do të mund ta bëjnë të dielën. Në mënyrë plotësuese, mund të paraqitet edhe mungesë e produkteve të hënën, nëse ndalohet që të dielën të punojnë edhe shërbimet logjistike.
“Më pas shtrohet pyetja çfarë me hotelet, restorantet, destinacionet turistike. Ne aq kohë jemi duke luftuar që t’i mbajmë turistët në Maqedoni, e tani nëse i mbyllim qendrat e mëdha tregtare, nëse e mbyllim turizmin fshatar, të banjave dhe verës, kopshtet zoologjike, çfarë do të bëjnë turistët të dielën nëse gjithçka është e mbyllur. Ata nuk do të kenë kurrfarë interesi që të mbeten të dielën një natë më shumë në Maqedoni”, thekson Dimitrovi.
Ai shton edhe atë se jo të gjitha veprimtaritë mund t’i lejojnë vetes që të mos punojnë. Ka veprimtari, bën të ditur Dimitrovi, që varen edhe nga kushtet e motit.
“Ndërtimtaria, bujqësia, përpunimi i perimeve dhe pemëve, meqë ato gjatë dimrit tre deri katër muaj nuk mund të punojnë dhe duhet doemos të ketë rishpërndarje të orarit të punës që të punojnë deri kur munden, e më pas të rrinë në shtëpi. Çfarë me përpunuesit e qumështit meqë qumështi i freskët nga përpunuesit e qumështit duhet të merret edhe të dielën dhe menjëherë të përpunohet meqë në të kundërtën do të prishet. Në metalurgji, furrat dhe impiantet tjera janë të dimensionuara në atë mënyrë që të ketë punë të vazhdueshme shtatë ditë në javë. Nëse nuk punojnë të dielën do të kenë humbje të mëdha”, shprehet kryetari i Organizatës së punëdhënësve.
Sektorët të cilët nuk durojnë të mos punojnë të dielën janë edhe transporti me autobus dhe ai hekurudhor. Kemi, shprehet, degë shumë specifike dhe kjo duhet doemos të rregullohet në mënyrë plotësuese të jetë e thënë në mënyrë precize. Industria e tekstilit, për shembull, mund ta organizojë punën dhe të mos punojë të dielën. Sipas tij, theksi duhet të vihet në mosrespektimin e dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve dhe se prej atje mund të nisen edhe institucionet kompetente.
Ai paralajmëroi se këto qëndrime do t’i shprehin në seancën e partnerëve social të Këshillit ekonomik social. Nëse Qeveria, nga ana tjetër, vendosë t’i miratojë ndryshimet ligjore, atëherë, thekson, me të vërtetë duhet doemos të parashikohen të gjitha kushtet specifike për punë në disa ditë të caktuara në mënyrë që të mos ketë dëme më të mëdha.