Shkolla fillore “Risto Risteski” nga fshati Kosovrasti i Poshtëm fitoi në garën onlajn pas kodimit me pajisjen “Micro: bit”. Garën e organizoi Këshilli Britanik në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, si pjesë e programit “Shkolla të shekullit 21”. Nxënësit Ermira Oruçovska dhe Sead Rustemoski e përgatitën projektin e quajtur “Fshesë me korent Mirina v1.0”, me mentorimin e mësimdhënësit Risto Kolarovski.
Siç kanë njoftuar mga MASH, vendin e dytë e fitoi shkolla “Ashim Agushi” nga fshati Radolishtë, Strugë me projektin “Klasifikimi i mbeturinave me përdorimin e mikrobitit”, dhe vendi i tretë i takoi shkollës “Strasho Pinxhur” nga Karbinci, të cilën e përgatiti projektin “EDHE SMART EDHE SPORT (Shfrytëzim i mençur i pajisjeve të mençura)”.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të garës tha se deri më tani 65% e shkollave janë të pajisura me pajisje mikro:bit.
“Nëse kemi sukses pajisjen mikro: bit të vendoset si mësim i detyrueshëm për të gjithë, në vetë kurrikulën, dhe ta shfrytëzojnë të gjitha shkollat në lëndë të ndryshme, në pajtim me reformën që po përgatitet për konceptin në arsimin fillor, atëherë si vend do të mund të lavdërohemi se ndoshta në 10 vitet e ardhshme do të kemi shumë më tepër popull me shkrim digjital”, theksoi Carovska.
Garuesit i përshëndeti edhe ambasadorja Britanike Rejçell Gallouej, duke theksuar se digjitalizimi është një proces në të cilin mësimdhënësit mësojnë së bashku me nxënësit e tyre.
Në fazën e fundit të garës u kualifikuan 9 shkolla fillore nga vendi. Nxënësit dhe mentorët e tyre kishin detyrë të përgatisin projekte që do të ofrojnë zgjidhje për disa probleme të përditshme në mjedisin e tyre. Të gjitha fazat e garës, përfshirë paraqitjen, vlerësimi fillestar i projektit dhe vetë ngjarja u zhvilluan onlajn.
Për të qenë të suksesshme, përveç aftësive të kodimit, ekipet shkollore i shfrytëzuan edhe aftësitë e tyre për zgjidhjen e problemeve dhe të menduarit kritik. Për t’u kualifikuar me sukses në garë, ata përsosën aftësitë e tyre të prezantimit dhe krijimin e videos.
Programi „Shkolla e shekullit 21” është e financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.