Nga fillimi i vitit shkollor e deri më sot, për 18 për qind është rritur numri i nxënësve që ndjekin mësimin onlajn, kumtoi sot Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska.
Sipas Carovskës, mësuesit i kanë fituar aftësitë e nevojshme, ndërsa onlajn mësimi po zhvillohet në mënyre solide. Për një muaj, arritjet janë të mira, deri më 20 nëntor duhet të formohen edhe notat e para.
Udhëzimet për formimin e notave për tremujorin e parë, kujtoi Ministrja, u janë dërguar tashmë mësuesve dhe drejtorëve, gjë që u bë edhe publike. Atje ku do të ketë sfidë në formimin e notës onlajn dhe ndjekjen e mësimi në distancë, nxënësi do të jetë në gjendje të thirret në takim individual për konfirmim më të mirë të nivelit të njohurive të tij.
“Atëherë do t’i shohim sfidat. Kjo është arsyeja pse ne jemi në komunikim të përditshëm me drejtorët dhe kryetarët e komunave, në mënyrë që ky sistem të vendoset sa më mirë. Sfidat ekzistojnë, por unë jam i lumtur që vazhdimësia u arrit në mësimdhënie dhe që edhe prindërit edhe nxënësit e ndiejnë ndryshimin nga periudha kur nuk kishte asnjë lloj mësimi onlajn”, theksoi Carovska, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas prezantimit të rezultateve të Thirrjes Publike të FITR për ndarjen e mjeteve financiare përmes kuponëve të inovacionit.
Carovska beson se mënyra e përcaktuar tashmë e mësimdhënies duhet të mbetet dhe të ruhet deri në fund të vitit shkollor. Për rotacion të nxënësve për një javë do të konsiderohej nëse situata, siç tha, do të mbetej në nivelin e 1 tetorit dhe nëse numri i të infektuarve të rinj do të ulej, gjë që nuk është rast.
Për fëmijët që ndjekin mësimet në distancë, përmes televizionit, Ministrja informon se Inspektorati Shtetëror i Arsimit kontrollon nëse materialet u dorëzohen atyre.
“Rezultatet që kam marrë deri më tani janë pozitive. Pasditen e djeshme, në të gjitha shkollat u është dërguar një aplikacion për t’u përgjigjur se në çfarë mënyrash dhe sa rregullisht janë në komunikim me nxënësit të cilët ndjekin mësim në distancë, përmes televizionit”, tha Carovska.
Lidhur me situatën me virusin korona, informoi se te 0.06 për qind e numrit të përgjithshëm të nxënësve ka raste pozitive dhe te 0.58 për qind e mësuesve. Në numër real, bëhet fjalë për 40 nxënës dhe 52 punonjës – mësues dhe personel tjetër në shkollat.
“Ky është një numër që shfaqet për shkak të rritjes së numrit të të sapoinfektuarve në vend. Por situata është e qëndrueshme, protokollet janë duke u respektuar dhe zbatuar. Kjo është arsyeja pse nuk ka rritje të shpejtë të numrit te mësimi me prani fizike”, nënvizoi Carovska.