Me ndihmën e shtetit, disa investues dhe biznesmenë ligjërisht “uzurpojnë” pronat private të banorëve të Maqedonisë së Veriut për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla. Ata ju ofrojnë para për këtë tokë, duke mos përfillur dëshirën e tyre për të mos e dhënë tokën. Banorët e dëmtuar dhe eko-aktivistët që duan të mbrojnë Malin Sharr e kanë formuar “Frontin e Gjelbër kundër hidroncetraleve të vogla” duke thënë se janë kundërshtarë të “Hidro-Mafias” dhe do të vazhdojnë të protestojnë. Autoritet thonë se disa nga hidrocentralet do të punojnë duke theksuar se i kanë marrë masat për të mbrojtur ambientin, shkruan Portalb.mk.
Me arsyetimin e “interesit publik” shteti merr pronat private që personat e tretë të ndërtojnë hidrocentrale. Për këtë veprim, në redaksinë tonë është ankuar banori fshatit Brodec i cili vendosi të ngelet anonim nga frika e hakmarrjes. Ai thotë se po i uzurpojnë pronën e tij private, pa e pyetur atë.
“Fillimisht në vitin 2018, e përsëri tani në vitin 2020 kanë ardhur dy dokumente, jo vetëm mua, por mbi 20 banorëve të fshatit Brodec, na është thënë se në tokat tona do të ndërtohet hidrocentral i vogël, dmth, nuk jemi pyetur a duam por vetëm na është treguar” tha ai. Sipas dokumentit, banori do të merr para (eksproprijim) që të lëshojë tokën e tij.
Të revoltuar nga kjo, Bashkësia Lokale e fshatit Brodec në qershor të vitit 2019 u mobilizua së bashku me të gjithë pronarët e tokave dhe banorët tjerë të këtij vendi, kundër ndërtimit të këtij hidrocentrali, për shkak se siç thonë ata, “do të sjellë vetëm dëm dhe asgjë të mirë”.
Më pas, meqenëse këta banorë nuk u përgjigjën dokumentit të parë të dërguar nga Ministria e Financave e Maqedonisë së Veriut, të njëjtit përmes një ftesë janë kërkuar të paraqiten në zyrat e filialit të Ministrisë së Financave në Tetovë, së pari në vitin 2018 e më pas përsëri në vitin 2020.
E nga ky takim që këta banorë kanë pasur me përfaqësues të Ministrisë së Financave, nuk ka pasur pajtueshmëri mes palëve për çmimin i cili ju është ofruar në këmbim të pronave të tyre e as për ndërtimin e hidrocentraleve.
“Ne kemi informuar edhe firmën e cila dëshiron të ndërtoje hidrocentralin e vogël, gjithashtu komunën, Ministrinë e Financave si dhe të Ambientit Jetësor që as mos të ju shkojë ndërmend se do të mund të ndërtojnë hidrocentral në pronat tona. Nuk pranojmë, kaq” tha banori i fshatit Brodec.
Ai informon se me ndërtimin e këtij hidrocentrali, përveç dëmit që do ia sjellë lumit, do të dëmtohen mbi 20 qytetarë të cilëve rrezikohet të ju merren pronat e tyre, gjegjësisht në ata prona të ndërtohet hidrocentrali. Ky banor tha se “Me ndërtimin e këtij hidrocentrali zihen mbi 80% të pronave private, pronarët as nuk janë pyetur fare a pajtohen apo jo, thjeshtë ju kanë treguar si për çmimin ashtu edhe për vendimin që do të ndërtohet hidrocentrali i vogël”.
Me këta banorë të Brodecit, është solidarizuar edhe aktivisti Shahin Fazlija nga fshati Bozovcë që ndodhet në Malin Sharr. I njëjti përmend dëmet të cilat mund ti sjellë ndërtimi i hidrocentraleve në zemrën e Sharrit.
“Punimet për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla po vazhdojnë, unë kam organizuar një protestë me disa fshatarë dhe shoqata bjeshkatare, shumë prej tyre nuk na përkrahen për shkak se janë të polizuara, për dëmet e Sharrit i kam shkruar edhe njërit prej gazetarëve të televizionit nacional, asnjëherë nuk është përgjigjur, kam humb besimin te të gjithë” tha Shahin Fazlija nga Bozovca, duke aluduar në ndërtimin e hidrocentralit të vogël në Leshnicë.
Ai shtoi se me ndërtimin e këtij hidrocentrali dhe gjithë të tjerave të cilat planifikohen “do të thahen bredhat, pishat dhe shumë drunj tjerë, flora dha fauna vërtetë do ta ndjejnë mungesën e ujit i cili do të varroset ndër këmbët tona, askush nuk do të përfitoje nga kjo përveç disa politikanëve të cillt nuk njohin asgjë përveç parave”.
Ku bazohet shteti që uzurpon pronat private për të ndërtuar hidrocentrale?
Gazetari i Portalb.mk analizoi Ligjin për Eksproprijim, ku edhe thuhet qartë se gjithçka që përbën interes publik dhe është i rregulluar me këtë ligj, mund të kryhet eksproprijim, e për atë se çfarë është interesi publik, thuhet kështu:
“Si Interes publik me rëndësi për Republikën e Maqedonisë në përputhje me këtë ligj, janë: Ndërtimi i termocentraleve elektranave nukleare, termocentraleve dhe hidrocentraleve me kapacitet mbi 1MV, linjat e transmetimit me nivelin e tensionit prej dhe mbi 35KV, ndërtimi i objekteve për prodhimin e energjisë elektrike të ripërtëritshme me kapacitet deri dhe mbi 1MV…” thuhet në Ligjin për Eksproprijim të RMV-së.
Me eksproprijim kuptojmë veprimin me anë të së cilit shteti ose ndonjë autoritet kompetent e merr pronën private të qytetarëve, me qëllim të interesit publik apo të ndërtimit të diçkaje që do ti shërbeje masës.
Çfarë thotë ministri i Ambientit Jetësor për ndërtimin e hidrocentraleve në Malin Sharr?
Ministri i ekologjisë tha se gjithkush ka të drejtë të protestojë. Megjithatë, edhe pse me kontrolle të shtuara, hidrocentralet e vogla tani më të ndërtuara si dhe ato të cilat kanë koncesion për të ndërtuar, do të vazhdojnë me punë.
“Studimi për valorizim, në mes të tjerash, merret edhe me aspektet e mirëmbajtjes dhe rregullimit të resurseve ujore, gjegjësisht rregullimin e ujërave. Me këtë Studim identifikohen lokacionet dhe statusi i hidrocentraleve të vogla, si dhe konfliktet e mundshme me zonimin e vazhdueshëm të Parkut Nacional të ardhshëm. Me qëllim të mbrojtjes së natyrës, mirëpo edhe duke respektuar të drejtën e personave juridik (me çka na obligon ligji pozitiv), të cilët kanë ndërtuar apo janë në proces të ndërtimit të hidrocentralit të vogël, në Studimin sugjerohet trajtim për secilin hidrocentral, varësisht nga ajo në cilën zonë të mbrojtur ndodhet dhe në cilën fazë të realizimit është ndërtimi i të njëjtës.
Në pjesën më të madhe, për hidrocentralet e ndërtuara dhe për ata të cilët kanë marrëveshje për koncesion të nënshkruar dhe leje për ndërtim, e paraparë është të vazhdojnë të funksionojnë, por duke aplikuar masa efektive për të zbutur ndikimin e tyre në natyrë dhe kontrolle të përforcuara për këtë, për të cilën do të insistoj.
Sipas studimit, në Parkun Nacional të ardhshëm (Malin Sharr) ka gjithsej 11 hidrocentrale të ndërtuara, kurse edhe 9 koncesione të dhëna. Nga këto 9, për 5 u vlerësua se mund të parashihet një zonë e mbrojtur.
Vetëm për njërin nga hidrocentralet e vogla për të cilat kanë filluar punimet ndodhet në zonën strikt të mbrojtur, dhe për të njëjtën vetëm se kanë filluar bisedimet me investitorin për tu tërhequr. Për hidrocentralet tjera, për të cilën nuk është paraparë zona e mbrojtur, po shihen mundësitë, për të cilën vendimin final do të duhet ta sjellë Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa sa ju përket protestave, theksoj se gjithkush ka të drejtë që në mënyrë të zëshme të tregoje qëndrimet dhe mendimet e tyre. Ajo të cilën duhet patjetër ta theksoj është se duhet të kuptojmë se procesi i sjelljes së Ligjit është më në fund në fazën e fundit, dhe i njëjti nuk duhet të lidhet me protestat qytetare për hidrocentralet e vogla” tha ministri i Ambientit Jetësor, Naser Nuredini.
Nuredini foli edhe për procesin e rëndësishëm në të cilin ndodhet aktualisht statusi apo vetë fati i Malit Sharr, në prag të shpalljes si Park Nacional, ai tha se ky është një shans historik që nuk duhet humbur për shkak se me sjelljen e këtij ligji, do të përfitojmë të gjithë, si dhe do të ndërpritet çdo mundësi për krime kundër natyrës në këtë zonë.
“Duke filluar nga vlerat natyrore dhe unike të Malit Sharr dhe nevojën për mbrojtjen e saj në afatin më të shpejtë të mundshëm, si dhe besimi im personal që duhet të shfrytëzojmë këtë shansin e fundit dhe besimin e partnerëve ndërkombëtar të cilët siguruan mjete financiare për realizimin e këtij procesi të shtrenjtë, të cilin tani për së treti herë, shteti mundohet ta finalizoje. Vendimi për pranimin e propozimit që Mali Sharr të jetë Park Nacional. Për këtë kategori të mbrojtjes, përgatitëm propozim-ligj për shpallje të Malit Sharr si Park Nacional i cili momentalisht është publik në ueb faqen e Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe ENER, dhe është në fazën e kyçjes të publikut me qëllim të informimit, komentimit dhe dorëzimit të vërejtjeve me qëllimin të bëhet një ligj i cili do të përfshije interesat e të gjithë palëve të përfshira, gjithmonë në interes të mbrojtjes së malit.
Ligji është një kornizë ligjore e cila këtë pjesë do ta vendose në një shkallë të mbrojtur dhe pikërisht me këtë integrim dhe regjim të veçantë ligjor, do të sigurohet shfrytëzimi i resurseve natyrore dhe shumë më efikase do të jetë kontrolli për aktivitetet jolegale të tipit si prerja e drurëve dhe shkatërrimi i biodiversitetit. Shpallja e Sharrit si Park Nacional do të thotë mbrojtje dhe masa për konservim të pasurisë natyrore, si dhe hapja e perspektivave të reja për zhvillim të kësaj zone, me anë të së cilës do të përmirësohet vetë jetesa e banorëve të kësaj zone.
Protestat janë e drejtë legjitime të qytetarëve të cilën nuk e kundërshtoj, por mendoj se nuk duhet të kushtëzojnë prurjen e Ligjit, për shkak se ai vetë do të thotë regjim tjetër për aktivitete tjera eventuale infrastrukturore, dhe në asnjë moment nuk i kundërshton kërkesat e iniciativave për shkak se rishikimi i koncesioneve mund të bëhet edhe pas shpalljes të Sharrit si Park Nacional” shtoi Nuredini.
“Fronti i Gjelbër” lindi si pasojë e ndodhive të lartëpërmendura, të njëjtit protestuan në Leshnicë
Si kundërpërgjigje për këtë dhe hidrocentralet tjera të cilat aktualisht po ndërtohen në Maqedoninë e Veriut, disa organizata joqeveritare, klube të Alpinistëve, eko-aktivist si dhe qytetarë me datë 22.09.2020 në Tetovë formuan “Frontin e Gjelbër kundër ndërtimit të hidrocentraleve të vogla”.
Për të shpjeguar se pse ndërtimi i hidrocentraleve dhe vetë hidrocentralet nuk përbëjnë interes publik, këta të fundit radhitën tre arsye të cilat sipas tyre, shpjegojnë shumë qartë dëmin i cili mund të shkaktohet nga këta hidrocentrale.
- “ Lumenjtë bllokohen në tuba, duke vrarë gjithçka të gjallë në zonë.
- Me ndërtimin e rrugëve hyrëse dhe linjave të transmetimit, priten pyjet dhe shkaktohet erozion.
- Regjimi hidrologjik po ndryshon, kështu që vendbanimet përreth do të kenë probleme me ujin e pijshëm dhe ujitjen” deklaruan nga “Fronti i Gjelbër”.
Ky grup jo-formal vendosi që kërkesat e tyre, të cilat shkojnë në adresë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ti thonë nga Mali Sharr, saktësisht nga Leshnica, ku edhe pritet të ndërtohet një hidrocentral i vogël. Kërkesat e tyre janë si vijon:
- Ndalimin në mënyrë urgjente të ndërtimit të hidrocentraleve të vogla.
- Ri-vlerësimi i lejeve dhe koncesioneve të dhëna deri tani për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, bazuar në vlerësimet reale dhe ndikimin e tyre në ambientin jetësor.
Por, Qeveria nuk ka dhënë përgjigje, ndërkaq siç e përmendëm më lartë, ministri thotë se rishikimi i koncesioneve mund të ndodhë edhe pas shpalles së Malit Sharr si park nacional.
Ndryshe, Portalb.mk vazhdimisht ka informuar për ndërtimin e hidrocentraleve në Malin Sharr, edhe atë në tetor të vitit të kaluar ishim në vendin ku planifikohet ndërtimi i hidrocentralit në Leshnicë, ku pamë se një numër i madh i drurëve po pritej për shkak të hapjes së trasave për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në këtë vend.