Gjashtë ditë pasi Portalb.mk alarmoi në lidhje me mos përkthimin e programeve mësimore për vitin 2020/2021 edhe në gjuhën shqipe për mijëra mësimdhënës shqiptar, nga Byroja për Zhvillim të Arsimit dje kanë publikuar të njëjtat edhe në gjuhën shqipe, njofton Portalb.mk.
Këta programe apo kutikula nga ku mësimdhënësit bazohen para krijimit të çdo ore mësimore, sot mund të gjenden edhe në gjuhën shqipe, në ueb faqen e Ministrisë së Arsimit, respektivisht në faqen e Byrosë për Zhvillim të Arsimit.
Vetëm gjashtë ditë më herët, pas disa ankesave deri në redaksinë e Portalb.mk nga mësimdhënësit shqiptar, pyetëm Ministrinë e Arsimit nga ku edhe premtuan publikimin e programeve edhe në gjuhën shqipe.
“Programet mësimore për shkollën fillore dhe të mesme, Byroja për Zhvillim të Arsimit i ka përgatitur në të gjitha gjuhët me të cilat zhvillohet mësimi në shtetin tonë, edhe atë: Në gjuhën maqedonase, në gjuhën shqipe, turke, serbe dhe boshnjake për shkollën fillore ndërkaq në gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke për shkollën e mesme.
Marrë parasysh se bëhet fjalë për një numër të madh të programeve mësimore, është e nevojshme një kohë e caktuar për vendosjen e tyre në ueb faqen e Byrosë dhe kjo do të ndodhe në afatin më të shpejtë të mundshëm” thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Megjithatë, ueb faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në momentin kur kthehet në gjuhën shqipe, lë shumë për të dëshiruar. Respektivisht, shumë opsione apo mundësi të cilat të ofrohen në gjuhën maqedonase, zhduken dhe nuk janë më në momentin kur klikojmë në ueb faqen në gjuhën shqipe.
Ndryshe, me datë 1 tetor është paraparë të filloje procesi arsimor në shkollat fillore dhe të mesme të Maqedonisë së Veriut përmes Platformës Kombëtare për mësim nga distanca, ngelet ende e paqartë se a kanë mjetet e nevojshme mësimdhënësit për mbajtjen e orëve mësimore.