Kategoritë

POLITIKË Karakaçakov: Bullgaria nuk është kundër, por mendon se nuk është koha për konferencë ndërqeveritare

Bullgaria nuk do të kundërshtojë, por do të thotë se nuk është koha që të caktohet datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për fillimin e negociatave për aderimin e Maqedonisë së Veriut në BE, deklaroi zëvendëskryeministri bullgar dhe ministër i Mbrojtjes Krasimir Karakaçanov.

Ai për TV Evropa bullgare theksoi se askush nuk dëshiron të vendosin kritere të reja për Maqedoninë e Veriut, por se ekziston një kusht shumë i qartë i BE-së: çdo vend kandidat për anëtarësim duhet t’i pastrojë problemet me fqinjët para se të fillojnë negociatat, transmeton BGNES.

“Bullgaria nuk ka çka të ndryshojë në politikën e saj. Në tetor të vitit të kaluar shumë qartë thamë se nëse nuk respektohet Marrëveshja për miqësi mes Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut nga 2 gushti i vitit 2017, do të kundërshtojmë në caktimin e konferencës së parë ndërqeveritare”, thotë Karakaçanov.

Ai jep edhe kritika ndaj ish-ministrit të Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, se tre vite nuk është bërë asgjë për përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale, si dhe ndaj Dragi Gjorgjiev, bashkëkryesues i Komisionit të përbashkët për çështje historike dhe arsimore.

“Ata mendojnë se mund t’i fshehin punët. Ata mendojnë se ndokush në Bruksel ose nëpër tërë botën do ta shtypë Bullgarinë dhe ne do të përulemi. Si duket, nuk e kuptuan çka është BE-ka dhe si punon. Patën tre vite që të riedukohen. Bullgaria nuk do të kundërshtojë, por do të thotë se nuk është koha që të caktohet datë për mbajtjen  konferencës së parë ndëqeveritare. Kur ndokush nuk është gati të shkojë në klasën e parë, ka përgatitje parashkollore. Për momentin flas në emër të qeverisë”, deklaroi Karakaçanov.