Ballafaqimi me pasojat e pandemisë, ruajtja e vendeve të punës, krijimi i ekonomisë funksionale dhe kthimi i rritjes ekonomike në 4 %, përparimi i standardit jetësor të qytetarëve dhe rritja e mëtutjeshme e pagave, institucione të fuqishme, drejtësi joselektive dhe luftë kundër korrupsionit, ndërtim i shoqërisë me shanse të barabarta për të gjithë, si dhe pjesëmarrje aktive në të gjitha proceset dhe aktivitetet e vendit si anëtare e NATO-s dhe fillim e përfundim i suksesshëm i negociatave për anëtarësim në BE, janë pjesë e prioriteteve në Qeverinë e re, në realizimin e së cilës kryeministri Zoran Zaev pret të përfshihen edhe zëvendësministrat e rinj që i propozon.
Me emërimin e zëvendësministrave, tha kryeministri, kompletohet sistemi i institucioneve efikase dhe të fuqishme me kapacitet të plotë dhe legjitimitet të cilat do të punojnë në realizimin e programit të Qeverisë dhe para se gjithash në ballafaqimin e pasojave të pandemisë me KOVID-19, si një nga prioritetet e para qeveritare.
“Jam i bindur se ata do të përkushtohen në krijimin e kushteve për cikël të ri të rritjes ekonomike dinamike, zhvillim të qëndrueshëm, shtet juridik efikas, institucione të fuqishme. Gjithsesi përkushtim maksimal presim edhe për krijimin e arsimit modern, kohezionin e brendshëm shoqëror stabil…Prej tyre pres edhe pjesëmarrje aktive në të gjitha aktivitetet si vend anëtar në NATO dhe përfshirje maksimale në proceset për fillim dhe përfundim të negociatave për kapitujt e anëtarësimit në BE, si dhe në politikat për marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore”, tha Zaev.
Sipas tij, në tre vitet e fundit kanë treguar se mund të sigurohet rritje më e madhe ekonomike, të krijohen vende të reja pune, por edhe rritje e mundshme e pagave. Realizuam, tha, papunësi më të ulët historike dhe pagë më të lartë minimale për rreth 60 për qind.
“Qeveria e re ka plan për ekonomi konkurente stabile inovative të Maqedonisë e gatshme të përgjigjet në sfidat e reja dhe të japë shans për të gjithë. Në ekonomi të tillë pagat do të vazhdojnë të rriten kriza nuk do të na ndalë që paga minimale të mbetet 14.500, ndërsa me pako të re të masave t’i ndihmojmë kategoritë më të rrezikuara dhe kompanitë”, tha Zaev duke e paralajmëruar setin e ri të masave prejse këtë javë do të përfundojnë konsultimet.
Pas përfundimit të krizës, shtoi, do të vazhdohet me masat për rritje të pagës minimale dhe atë deri në fund të mandatit për 20-40 për qind dhe të pagës mesatare prej 20-30 për qind, si dhe në kthim të rritjes ekonomike prej 4 për qind.
“Ndërtojmë institucione të hapura dhe më përgjegjëse të përkushtuar në interesat e qytetarëve, për atë në periudhën e ardhshme me fokus të mprehur do të vazhdojmë në ndryshimin e strukturës së cilësisë dhe madhësinë e administratës, në dhënien e rendit, drejtësisë dhe efikasitetit, spastrimin e gjyqësisë dhe qeverisjes joselektive të së drejtës, përkushtimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo është e rëndësishme edhe për procesin tonë , për integrim në BE dhe hapjen e kapitujve të parë”, tha kryeministri para deputetëve në Kuvend.
Ai shtoi se Qeveria edhe më tutje do të mbetet e kahëzuar drejt realizimit të Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë të cilat, siç tha, kanë mundësuar anëtarësimin në NATO dhe vendim për fillim të negociatave me BE-në.
Propozimin për zgjedhje të zëvendësministrave Qeveria deri tek Kuvendi e dorëzoi të premten e kaluar.
Për zëvendësministër i Mbrojtjes është propozuar Bashkim Hasani, në Ministrinë e Punëve të Brendshme Nazim Bushi, ndërsa në resorin e Drejtërisë propozim për zëvendësministër është Agim Nuhiu.
Ilhan Rahman është propozuar për zëvendësministër në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive, ndërsa Fatmire Isaki për zëvendësministre e Punëve të Jashtme.
Në Ministrinë e Financave, zëvendësministër duhet të jetë Dimitar Kovaçevski, ndërsa në Ministrinë e Ekonomisë është propozuar Zoran Manevski. Në Ministrinë e Bujqësisë zëvendësministër është propozuar Trajan Dimkovski, i cili më parë e ka kryer funksionin ministror në Ministrinë e njëjtë.
Mjeku Ilir Hasani është propozuar për zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë, Arafat Shabani është propozuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Enver Husejin në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Zoran Dimitrovski në Ministrinë për Vetëqeverisje Lokale dhe Sedat Sulejmani në Ministrinë e Kulturës.
Për zëvendësministër në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës është propozuar Aleksandar Bajdevski, në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi, ndërsa në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Hristina Oxhaklieska.
Para se ta fillojë debatin për zgjedhjen e zëvendësministrave në Qeveri, pas dorëheqjes së deputetit Damjan Mançevski, Kuvendi e ka verifikuar mandatin e deputetit Dime Velkovski.
burim: mia.mk