Kategoritë

ARSIM Nxënësit në vend pas përfundimit të arsimit fillor dhe të mesëm marrin njohuri si për 7,3 vjet mësim

Indeksi i kapitalit njerëzor të Bankës Botërore në vend në periudhën 2010-2020 u rrit nga 0.54 në 0.56, por është akoma më i ulët krahasuar me mesataren në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore dhe vendet me të ardhura të larta.

Sipas Indeksit të Kapitalit Njerëzor, një fëmijë i lindur sot në Maqedoninë Veriore do të arrijë 56 përqind të kapitalit të tij potencial njerëzor kur të rritet, krahasuar me atë që mund të arrijë nëse do të kishte arsim cilësor dhe kujdes shëndetësor.

“Një fëmijë i cili fillon shkollën në Maqedoninë Veriore në moshën katër vjeç pritet të përfundojë 11 vjet arsim parashkollor, fillor dhe të mesëm derisa të mbushë 18 vjeç. Sidoqoftë, kur vitet e shkollimit rregullohen sipas cilësisë së asaj që është mësuar, ajo është ekuivalente me vetëm 7.3 vjet, që do të thotë se ekziston një hendek mësimi prej 3.7 vjet, sipas një raporti të Bankës Botërore. Ky është Indeksi i Kapitalit Njerëzor, i cili mat rezultatet e kapitalit njerëzor në të gjithë botën para pandemisë.

“Maqedonia e Veriut që nga viti 2010 ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të përmirësuar rezultatet në arsim dhe shëndetësi, por ka ende sfida. Për të përmirësuar kapitalin njerëzor, vendi duhet të investojë më shumë në cilësi dhe qasje të ekuilibruar në arsim”, tha Masimiliano Paoluçi, drejtor i Zyrës së Bankës Botërore në vend.

Ai shton se është gjithashtu shumë e rëndësishme për të forcuar sistemin për parandalimin e sëmundjeve kronike jo-ngjitëse, duke përmirësuar skriningun, menaxhimin dhe kontrollin.

Raporti thekson se vendet në rajon kanë të ardhura relativisht më të larta, kështu që ata janë në gjendje të investojnë më shumë në arsimin fillor dhe shërbimet shëndetësore krahasuar me vendet e varfëra.

“Qeveritë në Evropë dhe në Azinë Qendrore u kanë dhënë përparësi investimeve në shëndetësi dhe arsim, të cilat janë nxitësit kryesorë të rritjes dhe zhvillimit. Sidoqoftë, sfidat e paraqitura nga KOVID-19 kërkojnë një përgjigje më të fortë të politikës, e cila përfshin përdorimin më të madh të teknologjisë për të përmirësuar shërbimet dhe programe të përmirësuara të mbrojtjes sociale, në mënyrë që të arrihet arsim me cilësi më të mirë dhe shërbime më cilësore shëndetësore për qytetarët”, tha Ana Bjerde, Nënkryetare e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.

Raporti përfshin gjithashtu një analizë dhjetëvjeçare të zhvillimit të kapitalit njerëzor nga viti 2010 në vitin 2020 në 103 vende. Shqipëria, Azerbajxhani dhe Rusia janë midis 10 vendeve që kanë shënuar përparim në shëndetësi dhe në arsim.

Rezultatet tregojnë se shëndetësia në rajon është relativisht në nivele pozitive, brenda standardeve globale.

Në 10 vitet e fundit, vdekshmëria e fëmijëve ka rënë ndjeshëm në Azerbajxhan, Kazakistan dhe Turqi dhe ka pasur një ulje të ndjeshme të shkallës së fëmijëve të pazhvilluar në Shqipëri, Azerbajxhan, Maqedoninë e Veriut dhe në Turqi. Shkalla e vdekshmërisë së të rriturve ka rënë, veçanërisht në Kazakistan, Rusi dhe në Ukrainë, por mbetet në nivele të larta në shumicën e vendeve.

Në fushën e arsimit, raporti tregon se, mesatarisht, cilësia e arsimit gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, nuk është përmirësuar në të gjithë rajonin.

Në Raportin e Bankës Botërore citohet se megjithatë pandemia KOVID-19 kërcënon përfitimet e deritanishme, ndërsa qeveritë po përpiqen që të mbajnë nivelin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, të cilat po përballen me kufizime të mbrojtjes së shëndetit publik, përfshirë edhe mbylljen e shkollave.

Indeksi i Kapitalit Njerëzor të Bankës Botërore e shqyrton rrugën e një fëmije, nga lindja deri në moshën 18 vjeçare, sipas standardeve (treguesve) të vendosur si: mbijetesa e fëmijëve (nga lindja deri në 5 vjet); vitet e pritshme të arsimit fillor dhe të mesëm të përshtatur në përputhje me cilësinë e arsimit; zhvillimi i vonuar tek fëmijët; dhe nivelet e mbijetesës tek të rriturit. Indeksi i Kapitalit Njerëzor 2020, bazuar në të dhëna deri në mars të këtij viti, ofron një bazë për periudhën para-pandemike, e cila mund të ndihmojë në informimin e politikave shëndetësore dhe arsimore dhe investimeve për rimëkëmbjen post-pandemike.

Banka Botërore po ndihmon qeveritë të krijojnë zgjidhje afatgjata që do të ndërtojnë ekonomi më elastike, gjithëpërfshirëse në periudhën post-pandemike. Shembuj të një pune të tillë përfshijnë Ukrainën, ku Banka Botërore po ndihmon për të forcuar reagimin e vendit ndaj KOVID-19, dhe përfshin edhe modernizimin e departamenteve të urgjencës dhe pavioneve të infrakteve në tru në 40 spitale, si dhe trajnimin e mijëra mjekëve në Ukrainë. Në Turqi, Banka Botërore po mbështet zhvillimin e TV-së dhe përmbajtjes dixhitale për mësimdhënie të kombinuar kur të hapen shkollat.