Kategoritë

KOALICIONI PASZGJEDHOR – OFERTA PËR ARDHMËRI NË SHEKULLIN 21 PA NËNËN PARTI

Me këtë punën e koalicionit parazgjedhor sikur më shumë po merret BDI-ja, se sa vetë partitë opozitare shqiptare. Aq qenka brengosur nëna parti që nuk paska koalicion mbarëopozitar, ka lëshuar vajtuesit e saj anembanë Fejsbukut.

E, mua, të dashurit e mi, mu kjo më zgjon interesin për fare të kundërtën.

Për shembull, të isha unë në vend të partive opozitare shqiptare, mu për shkak të këtij interesi të tepruar të BDI-së t’ja ‘bajë dertin opozitës, kisha shpallur koalicion paszgjedhor.

Të gjithë, pa marrë parasysh marrëveshjeve parazgjedhore apo daljes në zgjedhje solo, pas 12 prillit, secili me ata deputetë që ka fituar, të bashkohen ne bazë të rezultateve.

E në fushatë, le t’i ofrojnë vizionet e tyre të ndryshme për atë se si mund të duket Maqedonia e Veriut pa nënën parti në pushtet.

Dhe, në atë ofertë le t’i harrojnë ca temat patriotike, të gjithë jemi bukur unikë për to.
Na duhen vizione për punësim, infrastrukturë, shkollim, shëndetsi, ambient ku do të jetojmë e jo të helmohemi, inovacione dhe teknologji, barabarsi të qytetarëve e jo vetëm të pushtetarëve…Le të ofrojnë më të mirët, e jo më të dëgjueshmit që kanë. Le të bëjnë ndryshe nga ajo që bën nëna parti.

Dhe më besoni, edhe ashtu, qoftë një nga një apo dy nga dy, me ndihmën e votuesve çdoherë të mençur shqiptarë, do ta çojnë pa asnjë problem në pushimin e merituar opozitar nënën parti, e cila është aq e interesuar për bashkimin e kundërshtarëve të saj 🙂