Kategoritë

KOLUMNË A do ta japim provimin!?

Kaloi Viti i Ri, por thesin e vjetër me plotë brenga na e la pas derës. Ditëve të ardhshme duhet ta japim provimin final, pasi përsëritje nuk ka.

Shkruan: Mersel Bilalli

Mos kalimi i këtij provimi, nënkupton një dhjetëshe të artë për Rusinë, Madje kur edhe Greqia, e njohur me simpati tradicionale ndaj Rusisë, dëboi dy diplomatë rusë, për shkak të angazhimit të hapur për të rrënuar Marrëveshjen e Prespës, shumë qartë u tregua nervozizmi i madh në Kremlin, për shkak të dështimit të dukshëm të projektit të saj makabër në rajon. Është fakt se Rusia ka një numër të madh të llogarive të papastruara me Perëndimin dhe të njëjtat me lehtësi dëshiron t’i zgjidhë duke krijuar jostabilitet në Ballkan. Si duket, Rusia sikur kishte planifikuar që  Maqedoninë ta shfrytëzonte si kapsulë iniciale për një mega-eksplodim ballkanik. Në një nga raportet, ish-përfaqësuesi i lartë për Bosnjën, zoti Pedi Eshtdaun kishte theksuar se Ballkani vazhdon të jetojë me logjikën e “shteteve të papërfunduara”, dhe se atje dhe dhunuesit etnikë veten e llogaritin për viktimë. Analisti i njohur evropian Bruno Makaesh në një seri artikujsh “Luftërat që vijnë”, thotë se Rusia është duke punuar intensivisht që të dështojë Marrëveshja e Prespës, si një mundësi e favorshme që të ndizet ferri ballkanik. Nga ajo ka frikë madje edhe vetë Serbia, pasi edhe pse Rusia është aleate e saj natyrore, ajo sërish nuk do që ta sakrifikojë veten për llogari të saj. Është fat që në këtë moment nuk ekziston ndonjë lider rajonal me mendjen dhe fuqinë e Millosheviqit, që të gjithë të përfundojmë te djalli. Fakt është se njerëzit dinë më lehtë të bashkohen rreth së keqes, sesa rreth të mirës së përbashkët.

Me liderizëm të fortë, Maqedonia dhe Greqia arritën që ta shmangin kurthin e tillë të kobshëm për ta, por dhe për gjithë rajonin, edhe pse akoma ka shumë punë për t’u pastruar mjegulla e zezë mbi këtë rajon, sepse siç është e njohur në Ballkan të çmendurit fare lehtë mund të vijnë në pushtet. Atë shumë mirë e di edhe vet Vuçiqi, i cili tani me mundim të madh balancon mes Rusisë dhe Perëndimit. Pikërisht nga kjo frikë, Serbia me hapa të shpejtë lëviz drejt NATO-s. Ajo tashmë me Aleancën është në shkallën më të lartë të bashkëpunimit në kuadër të “Partneritetit për Paqe” (IPAP – bashkëpunim, i cili është shumë afër anëtarësimit të plotë).

Maqedonia gjendet para shansit shekullor, të ndikojë si shpëtimtare e vetes, por edhe i gjithë rajonit. Ajo është shumë afër përfundimit të marrëveshjes së Prespës, duke lënë pas rrugën me therra. U pa se te ndryshimet “nuk fshihej ariu”, – do të thonte Zaevi. Pavarësisht qëndrimeve publike greke që janë relativisht të ekuilibruara dhe shumica prej tyre janë të dedikuara për qëllime zgjedhore, realisht faktorët kryesorë grekë tregojnë përgjegjshmëri në lidhje me Marrëveshjen e Prespës. Pushteti lëvdohet se hoqi një barë shumëvjeçare, kurse opozita sikur e lumtur se shpëton nga një barrë e tillë. Zëdhënësi i qeverisë greke Xenakopulos, tha se hyrja në fuqi e Marrëveshjes, do të sjellë një epokë të re në rajon. Është e qartë se për Marrëveshjen fuqishëm po merren edhe faktorët më të rëndësishëm botëror. Sekretari amerikan i ShBA-së Majk Pompeo, pas takimit me Ministrin e Jashtëm alternativ të Greqisë Katrugalos, tha se hyrja e Maqedonisë në NATO do ta forcojë aftësinë e vendeve të Ballkanit për t’i kundërshtuar “aktivitetet jo të mira” të Rusisë në rajon.

Sigurisht që shumë njerëz kanë qindra arsye për të qenë të pakënaqur me qeverinë aktuale. Disa për shkak të premtimeve, të dytët për shkak të amnistisë, të tretët për mos azhurnimin, të katërt për shkak të ndotjes, të pestët për shkak narcisoizmit, të gjashtit për shkak të emigrimit, por fakt i pamohueshëm është se duhej të veprohet me të gjitha forcat në drejtim të shpëtimit fizik të popullit dhe të shtetit si tërësi. Pa vendime të tilla të vështira, nuk do të jetë e mundur që të shkohet as përpara, as prapa, as lart, por vetëm thellë teposhtë. E kundërta me këtë realitet, është e barabartë me definicionin e çmendurisë. Por, fakt është se parametrat e tjerë të pushtetit aktual kanë mund të kenë bërë shumë më tepër për të mirën e përbashkët, në vend që të fluturojnë mbi retë pa parashutë.

Mickoski mund të bërtasë deri në qiell në dëshpërim me një gjuhë që nuk ka shije as me mjaltin më të mirë, por si duket njerëzit më shumë ndjejnë keqardhje se sa bindje. Njerëzit shumë mirë e dinë se lumturia nuk kërkohet atje ku është humbur. Ata e kanë kuptuar se një pikë urrejtje mund të përmbysë shumë më tepër sesa një lum mençuri. Shihet se bërtitja nuk është një mekanizëm adekuat për fshirjen e shpejtë të vuajtjes kolektive 11 vjeçare. Nëse ai dëshiron të ketë sukses, duhet qartë dhe pa mëdyshje të distancohet nga e kaluara djallëzore e krijuar nga njerëzit, të cilët pikërisht atë zgjodhën për pasardhës të tyre. Madje ai gjithashtu ka nevojë të kërkojë falje personale sepse edhe ai vetë ishte pjesë e ekipit famëkeq. Rënia në gjunjë dhe thirrja që ta vrasin nëse i tradhton, i përkasin revolucionit francez. Njerëzit tani më e dinë se maskë më të bukur ka ai që e ka fytyrën më të shëmtuar. Nuk është e mundur që Mickoski ta vendosë partinë në binar, përderisa Gruevski akoma është lokomotiva e tij. Ata nuk mund të flasin për mungesë të demokracisë, kur të njëjtën vetë e poshtëruan. Ata kritikojnë për varfërinë që vet e mbollën ndër vite. Lëshojnë lot krokodili për emigrimin masiv, kurse vet ata më shumë kujdeseshin për statujat e vdekura se sa për njerëzit e gjallë. Ankohen për sundimin e së drejtës, kurse për 11 vjet radhazi e përdhunonin Justician. Tani shohim se si institucionet më të rëndësishme ua besuan atyre banditëve analfabet rrugaç që ndërtonin kullat e tyre duke shkatërruar jetat tona. Flasin për borxhe, ndërkaq vetë edhe djallit i hynë borxh. Për vite me radhë edhe marrëzirat i shpallën për projekte. Pas një avarie të tillë mendore, njerëzit fillojnë të dyshojnë në të mundurën dhe të besojnë në të pamundurën. Ata madje kanë frikë të bëhen normal, sepse për shumë vite ata patën një pushtet i cili dhunonte normalen.

Larg asaj se shteti është shëruar pas një shkeljeje një dekadëshe nga çdo anë, që tani nga ndonjë inat instant të kërkohet rikthimi i së keqes që kishim, të revoltuar nga dështimet aktuale, abuzimet dhe paaftësitë e pushtetit aktual. Pas shumë vitesh të jo normales, nuk e kemi fare lehtë që të përballemi me normalen. Pas shumë gënjeshtrave, manipulimeve, shantazheve, korrupsionit dhe nacionalizmit, do të na duhet shumë kohë për të marrë veten. Një shteti të këtillë të përdhunuar e të grabitur, do t’i nevojitet një trajtim më i gjatë mjekësor për shërim. Por, dhe një  opozitë e cila për çdo problem do të ofrojë zgjidhje, në vend që për çdo zgjidhje të ofrojë probleme.