Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP ) në press konferencën që u mbajt dje me temë “Ekonomia në vitin 2018 dhe parashikimet për vitin 2019” dha rekomandimet e veta për vitin 2019.
Ata apelojnë që në vitin 2019:
1. Të përmirësohet efikasiteti i institucioneve shtetërore për përgjigje ndaj kërkesave të biznesit;
2. Të eliminohen ngecjet administrative dhe procedurale për realizimin e investimeve kapitale;
3. Të sigurohen mjete për zhvillim të barabartë rajonal prej 1% nga BPV.
4. Të realizohen reforma në administratën publike dhe shtetërore, me qëllim të arritjes së efikasitetit të administratës për të prodhuar rezultate më të mira;
5. Institucionet shtetërore në të ardhmen duhet të kenë qasje më inkluzive ndaj bizneseve, duke qenë në shërbim të tyre për të pasur zhvillim më të madh dhe mirëqenie shoqërore;
6. Mos sjellja e ligjeve me procedurë të përshpejtuar pa konsultim të biznesit;
7. Vlerësojmë pozitivisht qëllimin e Qeverisë për të kryer regjistrimin e popullsisë në Republikën e Maqedonisë, mirëpo kërkojmë që kategoria e regjistrimit të kombësisë të jetë pjesë përbërëse e tij, për shkak se aspekti kulturor është i rëndësishëm për qasjen ndaj konsumatorëve.
OEMVP e përshëndet angazhimin e institucioneve shtetërore për përmirësim të kushteve të të bërit biznes, si dhe qasjen e barabartë ndaj kompanive vendore dhe investitorëve të huaj në vend. Mbështet iniciativën për ndryshim të politikës së dënimeve të kompanive, respektivisht vendosjen e fokusit në aspektin edukativ përpara atij ndëshkues ndaj bizneseve në propozimin Ligjin për mbikëqyrje inspektuese.
“Në buxhetin e vitit 2018 ishin të parapara shpenzimet kapitale rreth 390 milionë Euro ndërsa deri në muajin Tetor nga këto mjete janë realizuar vetëm 41%. Planifikimi i investimeve kapitale në vitin 2019 është ende më i lartë, gjegjësisht 426 milion euro dhe sigurisht, bazuar në realizimin e këtij viti,biznesi e merr me dozë rezervë këtë projektim.Shqetësim për ne paraqet fakti që edhe në buxhetin e vitit 2019, mjete të ndara për zonën e Vizbegut janë vetëm 1 milion euro për kanalizim dhe ujësjellës. Ndërsa, kjo zonë arrin që të kontribuon në ekonominë e vendit duke realizuar 342.7 milionë euro Qarkullim vjetor për vitin 2017, nga 245 subjekte, që punësojnë rreth 2700 persona. Si dhe kontributi i zonës së Vizbegut në BPV paraqitet në vlerë prej rreth 3.4% “, thuhet në njoftimin e tyre për Portalb.
Sipas tyre, reformat në administratën publike dhe shtetërore duhet të jenë hapi i parë drejt zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Andaj ata sugjerojnë:
Ristrukturim të administratës publike dhe shtetërore;
Emërim të kuadrove cilësor dhe jo-partiak.
Ndërkaq sa i përket borxhit publik, ata shprehen: “Vlera e borxhit publik arrinë në 48,2%, në raport me BPV. Këtë vit ka një rritje stabile, por gjithmonë duhet pasur parasysh se shumë me rëndësi është trajektorja, që do të thotë nëse ka trend negativ ajo do të jetë stimul dhe tregues shumë pozitiv për lëvizjet në biznes.
Gjithashtu, mjetet e marra nga kreditë dhe huazime duhet të përqendrohen në shfrytëzimin e mjeteve për qëllime produktive. Zhvillimi i Barabartë Rajonal paraqet parakusht për zhvillim dhe mirëqenie ekonomike dhe zbutjen e migracionit. Këtë vit kemi rritje të shumës së mjeteve në 8.3 milionë euro ose 2.5% të buxhetit, por kjo është ende shumë larg nga obligimi ligjor për zhvillim të barabartë rajonal i cili shprehimisht përcakton se mjetet për zhvillim të barabartë rajonal të jenë 1% prej BPV, ose rreth 100 milionë euro.”
Që nga takimi i korrikut 2017 me mbi 100 kompani dhe Kryeministrin dhe ekipin e tij për çështje ekonomike, deri te Qeveria u adresuan 39 kërkesa konkrete për përmirësim të dispozitave ligjore dhe nënligjore, nga të cilat vetëm 2 u realizuan. Nga OEMVP theksojnë që si kërkesa të rëndësishme të bizneseve deri tani që nuk gjejnë zgjidhje mund të përmenden :
1.Rasti i Hasanbegut sa i përket dëmshpërblimit të kompanive për humbjet e përjetuara gjatë vërshimeve;
2. Moszgjidhja e problemeve infrastrukturore në zonën e Vizbegut edhe pse qeveria ka ndarë një shumë simbolike prej 1 mil euro për këtë vit
3. Anulimi i planeve detajore urbanistike të komunave