Dhuna, agresiviteti, vrasjet dhe ekstremizmi i dhunshëm në shumë raste janë vetëm pasojë, thonë psikologët të cilët, burimin e këtyre devijimeve me pasoja fatale për shoqërinë e shohin në moshat e hershme të fëmijëve.
Ndërkaq, fajtorin për krijimin dhe zhvillimin e dhunuesve apo ekstremistëve të dhunshëm në të ardhmen ata gjithashtu në shumë raste e kërkojnë pikërisht tek prindërit. Mr. Nora Kasa Vejseli, psikologe e licencuar vepron edhe si psikolog këshillimor, thotë për Drejt se videot në internet, filmat e animuar dhe video lojat me skena dhune ndikojnë drejtpërdrejt në personalitetin e fëmijëve.
Këto video materiale të cilat fëmijët i ndjekin për çdo ditë si pasojë e pakujdesit të fëmijëve ndikojnë tek moshat e reja në nxitjen e agresivitetit dhe natyrës së dhunshme që pastaj manifestohet në formë të njëjtë edhe në jetën reale. “Fjala “agresion” dhe “dhunë” fatkeqësisht janë modele të sjelljes që fëmijët i kopjojnë në mënyrë të pavetëdijshme. Për shkak të mungesës së informacionit dhe kohës së kaluar bashkë me fëmijët, si dhe vetëdijes në nivel jo të duhur fëmijët shpesh janë pre e këtyre “modeleve””, thotë psikologja Kasa Vejseli. Në shumë video loja me skena dhe misione të dhunshme, ajo thekson se ekzistojnë edhe shpërblime si ato të llojit “fitove, je fitues, vazhdo për më shumë”, të cilat fuqizojnë edhe më tepër sjelljen e fëmijëve, në këtë rast agresive dhe e shtyjnë të përpiqet të jetë sa më i përkryer.
Ato sjellje pastaj fëmija i gjeneralizon në jetën e përditshme duke u bërë i dhunshëm me moshatarët, tregon sjellje agresive në shkollë, në shoqëri dhe vende tjera. “Këtu mund të ndërlidhemi me formën më të thjeshtë të të mësuarit: mësimi përmes modelit, gjegjësisht imitimi që është në korrelacion dhe me moshën e fëmijës dhe për të qenë ende më e përforcuar kjo sjellje, në fund pason “shpërblimi”, dhe fëmija gjithnjë e më tepër e përforcon dhe e personalizon atë sjellje që e ka parë në film, film vizatimor ose video lojë që ka pasur përmbajtje agresive apo dhunë, pra ndërlidhet edhe forma e të mësuarit me kushtëzim operues/veprues”, sqaron Nora Kasa Vejseli, magjistre e psikologjisë. Përveç dhunës klasike, video lojat moderne dhe shumë video të animuara përmbajnë edhe gjuhë të urrejtjes në baza etnike, fetare dhe të tjera. Këto materiale bëhen shkaktar edhe për nxitjen e ekstremizmit të dhunshëm tek fëmijët e që pas një kohe ata e manifestojnë këtë edhe në raportet e tyre me shoqërinë dhe shndërrohen në ekstremist potencial. “Urrejtja sjell dëm të madh sa i përket aspektit piqik të fëmijës dhe konsiderohet si një lloj i ushqimit jo të shëndetshëm tek sa ai zhvillohe dhe e krijon e ndërton personalitetin e tij. Them që rrezik ka pasi çdo lojë ka tematik dhe burim të ndryshëm që atakon çdo moshë. Fatkeqësisht mosha shkollore e pranon “qëllimin” e lojës së autorit dhe mundohet që në fund të jetë fitues. Ai nuk njeh mjet, por mundohet të arrijë qëllimin. Në fakt burimi i urrejtjes qoftë etnike, fetare apo edhe i mendimeve ekstremiste mund të nxiten që nga mosha e njomë”, thotë psikologja Nora Kasa Vejseli. Ajo kujton thënien e famshme të John Locke se fëmijët kur lindin krahasohen me letrën e bardhë “tabula rasa”dhe nga përvoja varet se çfarë personaliteti do të zhvillojë. “Prandaj apeloj te prindërit që ti kushtojnë shumë rëndësi kohës së lirë që kanë fëmijët, ta kalojnë sa më shumë me aktivitete fizike, art, kulturë, rekreacion, sport, etj”, shprehet në fund, Mr.Nora Kasa Vejseli, psikologe e licencuar nga Oda e psikologëve të Maqedonisë.
Arben Zeqiri