Gruevski njoftoi me anë të një postimi në rrjetet sociale se ishte larguar për në kryeqytetin hungarez. “Jam në Budapest tashmë, ku kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze”, shkroi 48-vjeçari në faqen e tij në Facebook. Shkupi i ka bërë thirrje Budapestit të mos ia plotësojë atij kërkesën.
Mediat serbe shkruajnë sot se Gruevski ka ikur në Hungari përmes linjës së Tiranës duke kaluar kufirin maqedonas-shqiptar me pasaportë të rreme. ‘Politika’ shkruan se ish-kryeministri maqedonas me një pasaportë false ka ikur drejt Hungarise duke u strehuar një natë në ambasadën hungareze në Tirane, duke u nisur më pas në mëngjes herët me avion drejt Hungarisë përmes linjës ajrore të kompanisë së këtij vendi.
Ministri Spasovski ka treguar se ish-kryeministri nuk është larguar nga rrugët ajrore, por përmes kalimeve të “gjelbërta” në disa zona kufitare që nuk mund të mbyllen hermetikisht.
Ka spekulime të ndryshme se si është arratisur sipas mediave maqedonase, disa prej të cilave kanë shkruar se ka qenë i maskuar si grua, se ka përdorur pasaportë bullgare dhe se ka dal nga kufiri përmes një makine diplomatike hungareze.