Kategoritë

KOLUMNË Në prag të destabilizimit!

Zaev ofroi pajtim për “Të enjten e përgjakshme”. Pra, ua falë edhe atyre atë që fëmijët kishin vendosur t’ua bëjnë jetimë.

 

Shkruan: Mersel Bilalli

Pajtimi është akt civilizues që e  relakson ambientin e tensionuar dhe është hap që ka fuqi të madhe morale për një shoqëri elementare të shëndoshë. Mesazhi është se duhet shikuar në drejtim të një ardhmërie të qetë, që çon drejtë progresit, jetesës normale, zhvillimit, punësimit dhe ndaljes së eksodit të rinisë. Kjo vlen aq më tepër kur në dyer na troket një destabilizim me përmasa serioze. Faktorët relevantë botërorë janë të lodhur me këtë  shtet kaq të vogël që krijon kaq probleme të mëdha. Ata tani haptazi thonë se diçka me ju në esencë nuk është në rregull. “Llogarisni sikur të kemi probleme të tilla edhe me nja dhjetë shtete tjera në botë!? Pa dilemë se do të kishim një luftë të re botërore” – thonë ata.

Por, nëntoka e VMRO-së nuk brengoset as për shtet, as për paqe e as për jetë njerëzish. Asaj i interesojnë vetëm tri gjëra: të mos i kthejnë paratë, të mos burgosen “bosat” e krimit dhe të injorohet NATO e BE duke u lidhë me Rusinë. Sa për “gjoja” viktimat e 27 prillit, as që u bëhet vonë. Në fakt ata as që janë shkaku i problemeve, por vetë pasoja e tyre. Bosëve të krimit që vodhën miliarda euro, që dëmtuan shumë jeta njerëzish, që shkelën mbi çdo gjë njerëzore, morale e ligjore, nuk u intereson pajtimi, madje as amnistia e tjerëve. Atyre u intereson vetëm liria e tyre që nga paratë e zeza të shohin ditë të bardha. E gjithë makineria vmroviane është vënë në këtë shërbim. Të lyer me ngjyrë patriotizmi mashtrues, vetë se dëshirojnë ta fshehin atë se si duket djalli i zi. Kurse njerëzve të zakonshëm ua ndërruan edhe kodin mental. I mësuan që të ndjehen të kënaqur kur janë të shkelur e të nënshtruar. Të keqen ta ndjejnë si të diçka të mirë, vjedhjen si aftësi, krimin si trimëri! I patën mësuar të ngopen me ëndrra derisa vet çonin jetë sikur në ëndrra. E gjithë kjo mirë mbështjellur me patriotizëm të rremë. Por, fakt se akoma mirë shitet! Kaq vite u pasuruan duke shitur iluzione, kurse vmrovistëve të verbuar mendja nuk u kthehet! Tani miliona njerëz të uritur ndihen si të ngopur nga çdo gjë, kurse një pakicë e ngopur me çdo gjë ndihet gjithnjë e më e uritur!

Tani sërish edhe gjendja e sigurisë është më se dramatike për shkak veprimit skajshmërisht joracional të lidershipit vmrovist, i cili vepron në emër të Zotit e në shërbim të djallit. madje as Millosheviq nuk i kundërvihej bashkësisë ndërkombëtare në këso përmasash sikur këta liliputë në krye me Mickoskin. Pra, për këta liria e tre katër personave të mafisë grabitqare kushton më shumë se jetët e dy milionë njerëzve të grabitur, të varfëruar e të rraskapitur. Dhe akoma përpiqen të na bindin se pikërisht helmi më i rrezikshëm qenka ilaçi më i mirë për gjithë ne.

Fituan kryetarin e KSHZ-së, qeverinë teknike para zgjedhjeve, ja tani u ofrohet edhe falje për 27 prillin, por asgjë si kundërshpërblim! E vetmja gjë që u intereson janë amnistitë e tre katër bosave të krimit, të cilën askush nuk mund ta ofroj. Deputetët mund t’ua  falin tragjedinë e vet, por jo edhe atë të popullit. Askush nuk ka të drejtë atyre t’ua falë miliardat e grabitura nga qytetarët. Nuk falen paratë e tjerëve. Dhe mu për këtë, tani sërish jemi në udhëkryqin e mallkuar. Bosët e krimit përsëri vazhdojnë  ta bindin popullin  se është tepër mirë që të hidhet në pishinë të zbrazur. Dhe se vuajtjet dhe tmerret që i kanë përjetuar dhe i përjetojnë janë për shëndetin të tyre.

Analisti i njohur gjerman Erich Rathfelder paralajmëron se Ballkani Perëndimor gjendet në një akull tejet të hollë, për shkak të pretendimeve gjeopolitike të Rusisë (analiza qe botuar në gazetën gjermane “Die Tageszeitung” dhe atë  austriake “Die Presse”). Shumë analiza tjera tregojnë se Maqedonia mund të shërbejë si një ndezje iniciale për një shpërthim të madh me përmasa shkatërruese rajonale, që do t’i shembte edhe themelet e gjithë Evropës. Sepse një spirale e vogël e këtushme menjëherë do të aktivizonte shumë militantë fanatik në Bosnjë, Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi . Putin ka kohë të gjatë që ka dërguar këshilltarë ushtarak në Republika Srpska. Destabilizim të mundshëm të shtetit e  rajonit parasheh edhe njohësi i mirë botëror i Ballkanit – Daniel Server. Por, është interesante ajo se diplomati i famshëm britanik Timothy Lees në analizën e tij të plotë botuar në “Foreign Affairs”, parasheh destabilizim të gjerë të tërë  Ballkanit Perëndimor, pas së cilit të gjitha shtetet e vogla do të zhdukeshin. Edhe analiza më e re e liderit botëror i gjeopolitikës – “Stratfor”, niset prej asaj se pas shkëmbimit të territoreve në mes Beogradit dhe Prishtinës,  paqja në rajon është para një sfide serioze.

Në fund duhet theksuar se duhet të kuptojmë se nuk mund të mbrohemi në mënyrë institucionale nga veprimet krejtësisht  jashtë-institucionale të një grupi mafioz. Aq më shumë kur institucionet e shtetit aq dobët funksionojnë. Duhet menduar mirë se çka duhet bërë në ato raste kur edhe vet kushtetuta nuk mund të mbrohet në mënyrën kushtetuese. Shpëtimi i jetës së shumë njerëzve është mbi të gjitha. Çdokush e pa se Maqedonia u shndërrua në pelegrinazh të udhëheqësve më të fuqishëm botërorë, mu për shkak të segmentit të sigurisë rajonale. Dhe tani të njëjtit liderë botëror kapin kokën me dorë dhe thonë – erdha, pashë dhe nuk u besoj syve të mi !!! Nuk mund ta kuptojnë se si ikja nga beteja demokratike qenka fitore (bojkoti i referendumit) ! Nuk mund ta kuptojnë s kompromisi qenka kapitullim! Se zgjidhja e një problemi shumëvjeçar qenka tradhti!

E gjithë kjo meriton një përgjigje të përbashkët të atyre që nuk janë për luftë gladiatorësh, por për civilizim dhe jetë normale. Listat e përbashkëta janë shpëtim historik nga kurthet që në vazhdimësi na vihen në çdo hap. Kurse nxitësit dhe frymëzuesit e destabilizimit nuk janë të vetëdijshëm se më në fund do të mund të përgjigjen përpara Gjykatës Ndërkombëtare Penale për krime kundër paqes dhe njerëzimit.

 

 

Kushtet për përdorim, të drejta autoriale dhe mbrojtje të privatësisë

 

Marrja e përmbajtjeve nën kushte të ndryshme NUK ËSHTË E LEJUAR, përveç me leje me shkrim nga CIVILi. Shkelja e të drejtave autoriale është e ndaluar me ligj.