Edhe pse Nikolla Gruevski tanimë nuk është në pushtet, Gruevizmi ende është gjallë në Tetovë. Këto ishin reagimet e para të ekspertëve dhe aktivistëve të sektorit civil pas fillimit të punimeve në fasadën e objektit të Arkivit të Tetovës. Ky objekt ka filluar të mbështillet me izolim metalik, që është në kundërshtim me pamjen autentike. Zëri i aktivistëve tetovarë ka ndikuar te institucionet më të larta që të ndërpriten punimet, ndërsa janë kthyer shpresat se tendenca e fundit mund të parandalohet.
“Jetojmë në kohë të çmendura, ku me projektin Shkupi 2014 objektet e arkitekturës moderne të shekullit 20 u mbështjellën me fasadë barok për të sajuar një identitet te rremë dhe të paqenë, ndërsa sot Gruevizmi në Tetovë implementohet në drejtim të kundërt – shlyhet dhe tjetërsohet identiteti i vjetër me fasada të reja. Veprimi i fundit me fasadën e ndërtesës së arkivit të qytetit të Tetovës është tendencioz, duke qenë edhe në procedurë për tu shpallur objekt i trashëgimisë kulturore”, thotë Ngadhnjim Mehmeti nga Lëvizja “Eco Guerilla”. Ai gjithashtu akuzon se qëllimi është të shlyhet historia dhe të shpërfillet edhe ajo trashëgimi kulturore që ka mbetur nga e kaluara në këtë qytet. “Projekti i rrënimit të trashëgimisë kulturore të qyteteve tona ka filluar që nga koha e regjimit komunist duke vazhduar edhe sot në trajta tjera, me betonizimin masiv dhe promovimin e tallavasë në urbanizëm dhe arkitekturë, duke demotivuar kështu edhe gjeneratat që vijnë. Tetova sot po shpërfytyrohet si qytet dhe lirisht mund të merr çmimin për “Qytetin më të shëmtuar në rajon”; qytetin me shesh kaotik e hapësira të uzurpuara, ku vendin e trashëgimisë kulturore e zë pluhuri si dhuratë e pushtetit lokal”, vlerëson Mehmeti.
Pas reagimeve që shpërthyen në opinion menjëherë pas fillimit të punimeve, ka intervenuar edhe Visar Vishka, këshilltar special i ministrit të kulturës, Asaf Ademi. Në një deklaratë për CIVIL Media dhe Drejt, Vishka sqaron se ka arritur që të ngrejë institucionet kompetente dhe të ndërpresë punimet deri sa të përfundojë procedura për shpalljen e këtij objekti si trashëgimi e mbrojtur. “Pasi pash se çka janë duke bërë menjëherë reagova. Tërë ditën në telefon. Informatat e para ishin se ne nuk kemi kompetenca sepse nuk është e mbrojtur si trashëgimi. Por nuk u dorëzova dhe kërkova të gjejnë mënyra se si ta ndalim këtë krim ndaj vlerave të trashëguara. Më në fund doli që objekti ka hy në procedurë, gjegjësisht, se nuk guxon të preket. Kërkova nga drejtori i Arkivit menjëherë të ndalë punimet deri të hënën, kur do të dërgojmë inspektorët që ta qartësojnë situatën. Edhe pse kishte hezitim në fillim, më në fund pranoi për të mirën e të gjithëve”, thotë Vishka. Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër kohore kur objekte të rëndësishme të trashëgimisë ndryshojnë nga pamja origjinale. Paraprakisht, me një investim të komunës së Tetovës u prish Ura e Kazazëve në Tetovë dhe në vend të saj u ndërtua një urë e re pa lënë asnjë gjurmë nga objekti origjinal.
Arben Zeqiri