Kategoritë

KOLUMNË Vendimi yt, përgjegjësia yte!

Ashtu siç afrohet referendumi, aq më tepër  lexoj dhe dëgjoj mendime, qëndrime dhe perspektiva të ndryshme, mbi atë se çfarë na pret pas referendumit të (mos)suksesshëm. Deri tani, kemi ndëgju deklarata të ndryshme mbi (mos)suksesin e këtij referendumi, duke filluar nga ajo se si Maqedonia është e rrezikuar nga ndarjet eventuale të territoreve në Ballkan, e veçanarisht në periudhë ku Sërbia dhe Kosova shpresojnë që do të arrihet ndonjë kompromis mbi korrigjimin e kufijve, e deri tek deklaratat e llojit se si punët në Maqedoni do të ndryshojnë për 180 shkallë për më mirë.

Shkruan: Fari Hiseni

Me të vërtetë nuk e dijmë se çfarë do të ndodhë, por sëpaku e dijmë që këtu ku gjendemi nuk e kemi mirë, ankohemi dhe kërkojmë që gjërat të ndryshojnë!

Momentalisht Maqedonia është shëndruar në një podium, ku nga të gjitha anët je i rrethuar me informata dhe deklarata, madje dhe përfaqësues të lartë nga skena ndërkombëtare vendosën të japin komentet e tyre rreth këtij momenti të rëndësishëm te ne.

Personalisht doja të komentoj për reagimin tonë si shoqëri ndaj këtij momenti, pasi që jemi në një pozitë të cilën e kemi kërku ndër vite, ndërsa tani pasi që kemi arrit këtu, kërkojmë qime në vezë dhe dëshirojmë që të ankohemi.

Gjithmonë e kemi pas të qartë që integrimi i vendit në NATO dhe BE, varet nga zgjidhja e kontestit të emrit. Gjithmonë mbi zgjidhjen e këtij kontesti kemi dashur që vetë ne qytetarët të vendosim. Tash na erdhi koha, më 30 shtator do të mbahet referendumi dhe të gjithë qytetarët me të drejtë vote do të kenë mundësi të shprehin mendimin e tyre. Tashmë kohë më të gjatë ‘’besoj’’ e dijmë pyetjen e referendumit ‘’A jemi për anëtarësim në NATO dhe BE duke pranuar Marrëveshjen mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”, ashtu që, nuk shoh diçka të paqartë këtu.

Marrëveshja që në fillim është në dispozicion për të gjithë, disa nuk pajtohen me përmbajtjen e kësaj marrëveshje, ndërsa të tjerët pajtohen. Plotësisht është në rregull dhe demokratike për dy grupet, andaj në referendum ekzistojnë dy opsionet, ose voton Kundër pyetjes së caktuar ose je Për. Këtë e potencoi pikërisht për shkak të shfaqjes të një opsioni të tretë, opsion i cili ligjërisht nuk është i pranuar dhe si i tillë nuk parashifet në fletëvotim, flas për bojkotin. Në kontekst të këtij teksti, bojkoti paraqet nivelin më të lartë e papjekurisë politike te një individë, i cili mund të shkaktoj pasoja serioze në shoqëri, me theks të veçantë në gjeneratat e reja.

Në vendet ku kanë shoqëri me mendim kritik të zhvilluar, këto momente nuk kërkojnë fushata partiake, ashtu siç ndodhë te ne që të na bindin se si është më mirë të votojmë, këto momente janë dhe duhet t’i shofim si interes mbi partiak. Me rregullimin e brendshëm politik tonin, ne si shtet kemi demokraci indirekte, do të thotë ne zgjedhim përfaqësuesit tanë të cilët duhet t’i përfaqësojnë interesat tona, ndërsa referendumi është instrumenti i vetëm ku qytetarët dhe qytetaret kanë mundësinë që drejtpërdrejtë të kyçen në sjelljen e vendimeve të rëndësishme.

Dëshiroj të shfaqim pjekuri politike të dielën, ta shfrytëzojmë këtë rast që vetë të vendosim për veten, të marrim përgjegjësi për ardhmërinë tonë dhe të dalim në votim.

Në fund dëshiroj ta shkruaj një anekdotë me shpresë që mos ta kemi fatin e njejtë edhe ne:

Arrin Nasradin Hoxha në një vend të bukur dhe të zhvilluar të kohës së tij dhe me interesim shumë të madhë sheh rreth e qark; I afrohet një i panjohur dhe e pyet: Hoxho, t’më tregosh ç’farë dite jemi sot? Nasradini ja ktheu: Miku im, i huaj jam, për herë të parë vijë në këtë shesh, kështu që, nuk e dij unë se si llogaritën ditët këtu.

 

 

 

Kjo kolumnë është pjesë e iniciativës qytetare “Ec përpara!”, e financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedonia. Përmbajtja është përgjegjësi e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet e i shpreh këndvështrimet dhe qëndrimet e iniciativës qytetare “Ec përpara!”.