Kategoritë

KOLUMNË Ju fotografoni, por pushteti i ka listat, kujt t’i frikësohemi!?

Nëse aktivistët e “bojkotoj” mund t’i fotografojnë votuesit, ata fotot e tyre mund vetëm t’i publikojnë dhe askujt nuk kanë mekanizma ti hakmerren. Ndërkaq me kërcënimet e tyre nxisin pushtetin që të kundërpërgjigjet me kontrollimin e listave të votuesve, ndërsa pushteti ka mekanizma edhe për kërcënim edhe për hakmarrje. E në këtë rast kujt mund t’i frikësohen më së shumti votuesit? Ja dëmi që i bënë vetes “bojkotuesit”.

Shkruan: Arben Zeqiri

Aktivistët e koalicionit “Bojkotoj” me kërcënimet e tyre publike se do të incizojnë dhe fotografojnë votuesit që do të dalin në referendum, i kanë bërë dëmin më të madh të mundshëm jo vetëm procesit demokratik në vend, por edhe qëllimit të tyre. Ata duke dashur t’i frikësojnë qytetarët, në veçanti ata të përkatësisë etnike maqedonase se do t’i fotografojnë dhe publikojnë “tradhtarët”, i kanë hapur rrugën një kërcënimi më të madh për qytetarët dhe procesin demokratik të votimit. Siç duket ata kanë harruar se nuk janë në pushtet, ndërsa edhe partia të cilën e mbështesin, ose e cila i mbështet jozyrtarisht, VMRO-DPMNE është gjithashtu në opozitë dhe se nuk kanë më mekanizma për t’i frikësuar, shantazhuar dhe kushtëzuar votuesit. Por, ata kanë harruar gjithashtu se me kërcënimet e tyre kanë ngjallur një kundër reaksion tek partitë në Qeveri apo ato në koalicionin që mbështesin votën “Për” në referendumin e 30 shtatorit. Madje kanë harruar se kërcënimet e pushtetit kanë qenë gjithmonë më serioze sesa ata të opozitës dhe se qytetari i rëndomtë ose nuk frikësohet nga asnjëri, ose ai që frikësohet nga ai që ka mekanizmat e hakmarrjes, e këto mekanizma i ka gjithmonë pushteti. Madje në rastin e fundit pushteti ka në dorë mekanizma të cilët mund të përdoren shumë legalisht, pa thyer ligje të paktën publikisht dhe pa mos i rënë në sy askujt. Nëse opozita maqedonase qoftë formale ose jo formale ka mekanizmin e fotografimit dhe incizimit, pushteti dhe koalicioni “Për Maqedoni Evropiane” ka një mekanizëm tjetër për të kontrolluar votuesit dhe ai mekanizëm është lista e votuesve. Zyrtarisht organizator i referendumit është Kuvendi i Maqedonisë, të drejtë ankese ka organizatori i referendumit që është përsëri Kuvendi, ndërsa referendumin si proces e realizon Komisioni Shtetëror Zgjedhor ku shumicë anëtarësh ka pushteti. Gjithashtu edhe njëri nga anëtarët e opozitës (Lëvizjes Besa) është gjithashtu i partisë që mbështet referendumin. Në këshillat zgjedhor, komisionet komunale zgjedhore janë gjithashtu të deleguar të punësuar nga administrata shtetërore. Dhe nëse Qeveria apo koalicioni “pro” referendumit dëshiron t’i kundërvihet fotografimit të votuesve shumë lehtë mund të ushtrojë pak ndikim në këshillat zgjedhor që vijnë nga administrata dhe ti kontrollojë në listë të votuesve qytetarët që kanë dalë në votim dhe ata që kanë bojkotuar. Nëse vijmë në situatë që njëra anë të bëjë presion përmes fotografisë e tjera anë përmes mekanizmave të pushtetit atëherë fillimisht administratorët ose nuk do të frikësohen ose nëse frikësohen, do t’i frikësohen pushtetit sepse nga pushtetarët varet vendi i tyre i punës. Edhe qytetarët apo votuesit, ose nuk frikësohen nga asnjëra palë, ose nëse frikësohen, do t’i frikësohen pushtetit dhe përgjigja e tyre do të jetë: “Më mirë le ta dijë pushteti se kam dalë në votim dhe të jem rehat me to, ndërsa opozita mund ti mbajë fotografitë dhe s’kanë ç’të  më bëjnë sepse s’kanë asnjë mekanizëm hakmarrje në dorë!”. Logjikisht opozita me fotografitë e tyre askënd s’mund ta nxjerrin nga puna, askënd s’mund ta degradojnë në vend më të ulët pune, askënd s’mund ta burgosin, askujt s’mund ti përgatisin asnjë proces e kështu me radhë. E nëse pushteti vendos që t’i kundërvihet kërcënimit të opozitës, ka shumë mundësi t’i bëjë të gjitha këto. Në radhë të parë pushteti nuk ka nevojë të nxjerr kameraman dhe fotoreporter në rrugë, por shumë lehtë, pa asnjë zhurmë dhe pa asnjë shkelje ligjore mund t’i kontrollojë listat e votuesve. Dhe nëse pushteti këtë e bën e ka shumë të lehtë të arsyetohet: na provokuan ata të bojkotit me kërcënimet e tyre se do t’i fotografojnë votuesit. Përkundër kësaj, aktivistët e Lëvizjes për bojkot dhe VMRO-DPMNE që është kundër marrëveshjes për referendum nuk ka asnjë qasje në listën e personave që kanë votuar, ndërsa me rregullat e reja vëzhguesit nuk kanë mundësi as të kontrollojnë listën e votuesve dhe as të përzihen në proces, por vetëm të vëzhgojnë. Dhe më e keqja, VMRO-DPMNE nuk është përfshirë në proces dhe nuk ka as vëzhgues që të paktën nga larg të shihte se çfarë ndodh. E ky është gabimi i dytë dhe më i madh që kanë bërë me inatet e tyre politike. Si rezultat, me kërcënimet e tyre aktivistët për bojkotim të referendumit nuk do të arrijnë të frikësojnë asnjërin, por vetëm mund të arrijnë të provokojnë pushtetin që edhe këta të përgjigjen në të njëjtën gjuhë. Kështu ata të bojkotit jo vetëm që nuk do të arrijnë të ndalin votuesit në shtëpi, por edhe mbështetësit e tyre potencial do t’i frikësojnë dhe do ti detyrojnë që të dalin në votim sepse vetë e provokuan temën e rrezikut dhe u dërguan mesazh: kujdes, sepse edhe pushteti “ju ndjek”, madje zyrtarisht dhe shumë lehtë. Përveç që kanë dëmtuar kauzën dhe qëllimin e tyre, në këtë mënyrë, aktivistët e “bojkotit” kanë rrezikuar edhe procesin demokratik dhe bëjnë që referendumi të kalojë nën hijen e fotografimeve, incizimeve, kontrollit të listave dhe ndjekjes së votuesve, kërcënimeve dhe rrezikimeve të votuesve. Çdo opozite në botë i konvenojnë procese të lira dhe demokratike, punojnë ata më së shumti që ato të jenë të tilla, ndërsa vetëm tek ne, “opozita” joformale nxit metoda jodemokratike, turbullon ujin dhe merr në qafë procesin dhe vetveten.