“Nga paraqitjet e kohëve të fundit të Ali Ametit fitohet përshtypje sikur i njëjti nuk është i vetëdjishëm se në zgjedhjet e 2016 për partinë e tij votuan vetëm 86000 votues, kurse për partitë tjera shqiptare si dhe për LSDM-n e Zaevit, 165000”, shprehet z. Xhevdet Hajredini, ish Ministër i financave në Republikën e Maqedonisë.
“Ai e di shumë mirë, edhe pse shtiret sikur nuk e di, se shumica e atyre që kanë votuar për partinë e tij, janë ata të cilët paguhen nga buxheti i shtetit, duke mos u paraqitur aspak në vendet e punës, dukuri e cila nuk ekziston, jo vetëm në shtetet anëtare të BE-s, por edhe askund në botë. Në këtë rast bëhet fjalë edhe për një numër të madh të cilët, të grumbulluar shumëfish më tepër se sa është numri i nevojshëm, të cilët, gjithashtu, shërbejnë vetëm si kontingjent votuesish të sigurt të partisë. Është për keqardhje se disa përfaqësues politik, opinionistë dhe gazetarë, me apo pa qëllim, më tepër në Shqipëri se sa në Kosovë, Ali Ametin vazhdojnë ta trajtojnë si “lider të shqiptarëve të Maqedonisë”. Ata shtiren sikur nuk e dinë se numri i shqiptarëve të cilët i përfaqëson Ali Ameti nuk është shumë më i madh se ata të cilët i përfaqëson Zoran Zaevi.
Eshtë e sigurt se Ali Ameti për këtë gjendje, në takimet e tij të shpeshta, nuk i informon “miqtë tanë ndërkombëtarë” as Ilir Metën, Edi Ramën dhe Blendi Fevziun. Kurse atyre as që ju intereson shumë”, shkruan z. Xhevdet Hajredini.