Kategoritë

KOLUMNË Bojkotoj “ergo” nuk ekzistoj

E dini kuptimin e sentencës së famshme latine “Cogito, ergo sum” (mendoj, do të thotë ekzistoj)? Në shumë raste, bojkoti është mekanizëm demokratik i çdo qytetari për të shprehur pakënaqësi, padëgjueshmëri dhe mospjesëmarrje në një proces ku nuk ka ndikim.

Shkruan: Arben Zeqiri

Madje edhe partitë politike, veçanërisht ata në opozitë mund ta përdorin në raste siç është Kuvendi kur e dinë se me votë nuk mund të ndalojnë një vendim ose ligj. Por, bojkoti në rastet kur ke mundësinë dhe fuqinë të ndikosh, për pasojë sjell pikërisht të kundërtën, shumica i lejon pakicës të vendos për fatin e të gjithëve. Në rastin e referendumit të 30, bojkoti eventual i qytetarëve do t’ua linte në dorë 120 deputetëve, një vendim historik për vendin dhe vetë ata. Kjo i bie njëjtë sikur në referendum të votojnë vetëm 120 qytetarë nga 1.8 milion me të drejtë vote. Kjo bëhet edhe më e sigurt tani kur kemi deklarata publike të kryeministrit se nëse censusi nuk arrihet vendimi do të sillet në Kuvend dhe nëse arrihet e shumica voton kundër atëherë ai jep dorëheqje dhe marrëveshja me Greqinë nuk hyn në fuqi. Nëse bojkoti del i suksesshëm, kjo nuk do të thotë që qytetarët nuk kanë vendosur. Përkundrazi, përmes bojkotit qytetarët kanë dërguar porosinë: ne nuk ekzistojmë, vendosni ju në Kuvend. Të jesh kundër një marrëveshje dhe të mos dalësh e ta shprehish atë qëndrim kundër në një proces demokratik, kjo s’ka as logjik institucionale e as “patriotike”. Sqarimi i vetëm në këtë rast është mungesa e guximit të atyre që janë kundër. Në mungesë të këtij guximi për t’i thënë jo një marrëveshje ose procesi, ata zgjedhin më mirë të dështojë procesi dhe qytetarët të mos kenë të mundësi të thonë fjalën e tyre.

A duhet të jemi “për” apo “kundër”?

Maqedonia është një shtet multietnik, multikulturor dhe multifetar. Ajo që gjithmonë ka qenë si shkas për shumë anomali, si ekonomia e rrënuar, mungesa e perspektivës, arsimi dhe shëndetësia jocilësore, papunësia etj etj, ka qenë izolimi nga bota e zhvilluar. Tani kemi një moment historik ku duhet të zgjedhim mes dy opsioneve. Të pranojmë një marrëveshje kompromisi dhe të hapim dyert tek të cilat kemi trokitur gati tre dekada, ose të vazhdojmë izolimin. Cili është kompromisi? Edhe përkundër dyshimeve të ngritura në opinion lidhur me definimin e statusit juridik dhe kushtetues të shqiptarëve dhe gjuhës shqipe, përsëri të gjitha partitë shqiptare dolën me fushatë “për” referendum. Tek maqedonasit situata duket më e ndërlikuar edhe pse nuk është e tillë. Ajo që duhet ta dimë të gjithë është se në situata konflikte ku nuk mund të ketë një fitues absolut, zgjidhja kërkohet tek kompromisi. Maqedonia dhe maqedonasit në këtë rast kanë bërë kompromisin më pak të dhimbshëm nga të gjitha vendet e rajonit. Shqipëria e cila kishte kontest me po të njëjtin vend si Maqedonia, me Greqinë, hoqi dorë nga sipërfaqe të mëdha detare. Kosova për të fituar një ulëse në OKB pranoi demarkacionin me Malin e Zi duke hequr dorë nga një pjesë e territorit, ndërsa presidenti aktual propozon edhe rishikim të kufijve me Serbinë. Nuk dihet saktë se çfarë do të shkëmbehet, por të dyja palët tanimë flasin për kompromis të dhimbshëm. Republika e Maqedonisë me marrëveshjen me Greqinë ruan tërësinë territoriale dhe siguron madje atë me anëtarësim në NATO. Populli maqedonas çimenton identitetin kombëtar, gjuhën dhe kulturën. Përveç kësaj, nëse të gjithë votojmë “për” integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO, do të hapim edhe perspektivat ekonomike dhe zhvillimore. Nëse shumica votojmë “kundër” atëherë do të ruajmë një emër shteti pa mbiemër, por edhe një shtet pa banorë. Çdo ditë jemi dëshmitarë të rritjes së fluksit të qytetarëve të Maqedonisë drejt vendeve të BE-së, ndërsa brenda vendit shohim rrënim të institucioneve, mungesë të kuadrit adekuat dhe si pasojë rënie e cilësisë së shërbimeve. Në këtë situatë patriotizmi ynë do të jetojë jo më shumë se një gjeneratë. Me “krenari” do të jetojnë gjenerata e fundit, e paaftë për punë jashtë shtetit, ndërsa pas vdekjes së tyre shteti s’do të ketë trashëgimtarë. Maqedonia pa mbiemër do të shndërrohet në një varrezë masive, ndërsa gjenerata vitale do të “integrohet” në BE dhe do të vuajë nga larg për atdheun e boshatisur. Ose, ndoshta të tjetërsuar e të kolonizuar nga popujt e rajonit të cilët ditën të shpëtojnë dhe zhvillojnë shtetet e tyre.

 

 

 

 

Kjo kolumnë është pjesë e iniciativës qytetare “Bën hap përpara!”, e financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedonia. Përmbajtja është përgjegjësi e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet e i shpreh këndvështrimet dhe qëndrimet e iniciativës qytetare “Bën hap përpara!”.