Blerësit e pjeshkave nga Rosomani janë në dilemë nëse do t’u kthehen edhe tre kamionë të cilët për momentin janë në kufirin rus. Ajo mund të vlente 15.000 euro shtesë humbje pas dëmeve që i pësuan pasi ditëve të fundit Rusia nuk lejoi hyrje të tre kamionëve me arsyetimin se në dërgesë është gjetur “krimb pjeshke”.
Rusia prej nesër edhe zyrtarisht do ta ndalojë importin e pjeshkave nga Maqedonia. Prodhuesit tanë konsiderojnë se gjesti i tillë është politik dhe se nuk ka kurrfarë lidhje me cilësinë.
Në ndërkohë, ende nuk ka përgjigje nga ana ruse pas letrës që e dërgoi Inspektorati shtetëror i Maqedonisë për bujqësi deri te shërbimi federal rus në kontroll veterinar dhe fitosanitar me të cilën kërkohet në afatin e mundshëm më të shkurtër të mënjanohen të gjitha mosmarrëveshjet dhe të vazhdojë bashkëpunimi.
“Tre kamionë janë rrugës për t’u kthyer mbrapa, para tre ditëve na i kthyen, ndërsa tre për momentin janë në kufirin rus. Nuk e dimë se çka do të ndodhë me to. Nga një kamion i kthyer humbim 4.000-5.000 euro. Ky është dëm i madh. Nëse situata nuk zgjidhet, nuk e dimë nëse do të jemi në mundësi t’i paguajmë prodhuesit. Pjeshkat veçmë i japim shumë lirë, 10 deri në 15 denarë për kilogram, ndërsa i kemi blerë nga 18 denarë. Dërgohen edhe në Shkup, Shqipëri dhe Kosovë”, deklaroi për MIA-n Vllado Ordanov, blerës dhe prodhues i 30 hektarëve pjeshka, dardha, kajsi dhe rrush në Rosoman dhe Sirkovo.
Sipas tij, vlera e një kamioni me pjeshka është rreth një milion denarë.
Edhe prodhues të tjerë nga Rosomani konsiderojnë se në pyetje është politika.
Vetëm nga Josipova për në Rusi janë eksportuar mbi 80 – 90 kamionë. Dy prej tyre janë kthyer dhe të dielën kthehen edhe tre kamionë.
Nga Ministria e Bujqësisë për MIA-n informojnë se nga Rusia janë kthyer dy, e jo tre dërgesa, njëra për shkak të kalibrimit të keq, ndërsa tjetri për shkak të krimbit të pjeshkës. Në pjeshkat nuk ka pasur kërpudha “monolia”, siç është pretenduar më parë.
“Ende nuk ka përgjigje nga ana ruse pas letrës të cilën e dërgoi Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë, ndërsa kontrollet në plantacionet po realizohen edhe më tutje”, thonë nga Ministria.
Blerësit, siç thekson Ordanov, do të kërkojnë ndihmë nga Ministria dhe Oda Ekonomike, por së pari do ta presin rezultatin përfundimtar nga vendimi rus që t’i vlerësojnë saktë dëmet.
Vitin e kaluar nga Rusia ishin kthyer katër kamionë, gjithashtu për shkak të pranisë së krimbit në pjeshka.
“Kur e blejmë pjeshkën kemi persona të veçantë të angazhuar të cilët kryejnë kontrolle, por mund të ndodh gabim te një deri në dy për qind të sasive. Por, është shumë për shkak të asaj që të kthehet i gjithë kamioni”, vlerëson Ordanov.
Pjeshka këtë vit filloi të blihet për 25 denarë, ndërsa përfundoi me 18, për dallim nga viti i kaluar kur fillimisht ishte 20 denarë, ndërsa më vonë çmimi ra në 13 denarë për shkak të kërkesës së rritur.
Vendimi i Rusisë që hyn në fuqi nesër vlen edhe për Serbinë. Sipas informacioneve fillestare të cilat i bëri të ditura Rojters, shkaku për ndalimin e importit të kërpudhës “monolia”, e cila ishte gjetur në pjeshkat nga Maqedonia dhe Serbia.
Ambasada ruse në Shkup për MIA-n konfirmoi se sipas informacioneve të publikuara në faqen e internetit të shërbimit federal rus për kontroll veterinar dhe fitosanitar, është vendosur ndalesë e përkohshme për import të pemëve me bërthama nga Maqedonia që hyn në fuqi më 15 gusht, si dhe se vendim për veprimet e mëtutjeshme do të sillet pas përfundimit të hetimit të dy organeve adekuate nga Rusia dhe Maqedonia.
Nga Ambasada e Rusisë theksuan edhe se për këtë sezon nga Maqedonia në Rusi ishin eksportuar tre milion kilogram pjeshka, ndërsa ishin kthyer për shkak të dyshimeve se janë infektuar 120.000 kilogram. Gjithashtu, theksojnë se sezoni për këtë fryt është kah fundi dhe se nuk janë paraparë dërgesa tjera. (MIA)