Shënimi i përvjetorëve të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit pasqyron të kaluarën e sakrificave që u shndërrua në një gurr themel në intensifikimin e një demokracie të mirëfilltë në Republikën e Maqedonisë, tha me rastin e shënimit të përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë, përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistem politik, Hazbi Lika.
Ai me këtë rast shtoi se mes vitesh kjo marrëveshje ka qenë bazë për arritjen e barazisë mes komuniteteve që jetojnë në shtet dhe njëkohësisht ka shërbyer në përshpejtimin e hapave drejt integrimit në strukturat euroatlantike.
“Vlerat e Marrëveshjes së Ohrit kanë qënë gjithmonë në përputhshmëri me kriteret që strukturat integruese kërkojnë, si ato të demokracisë poashtu dhe parimeve të lirisë pavarësisht kombësisë, besimit apo racës. Pavarësisht vështirësive që hasim në këtë rrugë, duhet vazhduar me këmbëngulje t’iu dalim para qëllimeve për të arritur konsolidimin në harmonizimin e interesave të komuniteve”, tha Lika.
Është koha, tha ai, që të zvogëlojmë ndikimin e strukturave destruktive, t’u japim përparësi ideve progresive të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e standardit jetësor, zhvillimin ekonomik, poashtu edhe duke stimuluar mekanizma për të mësuar gjuhën dhe kulturën e njëri-tjetrit.
“Një nga projektet që ndihmon në përmbushjen e këtyre qëllimeve është ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili në vetvete përmban po këtë qëllim, të përmbushë nevojat bazë të komuniteteve dhe njëkohësisht të shërbejë si urë dhe indikacion për përforcimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni”, tha zëvendëskryeministri.
Një tjetër përmbushje e aspiratave të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, përveç miratimit të plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, sipas tij, janë edhe çështjet të tjera, si marrëveshjet për fqinjësi të mirë, mbyllja e kontesteve ndërshtetërore, siç ishte ajo me Bullgarinë, dhe marrëveshja për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.
“Para nesh po zhvillohen procese shumë të rëndësishme të cilat dretëpërsëdrejti do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, andaj duhet të jemi vigjilent dhe të kontribojmë për konkretizimin e këtyre marrëveshjeve, sidomos në përmbylljen e suksesshme të Referendumit për zgjidhjen e çështjes së emrit, i cili do të zhvillohet më 30 shtator. I gjithë ky proces ka kushte të cilat kërkojnë punën tonë të përbashkët për të qenë i sukseshëm, andaj të gjithë palët duhet të jenë më konstruktive për të ndihmuar shtetin në këtë proces integrues. Interesi i qytetarëve qëndron në zhvillimin ekonomik e jo në ushqimin e politikave nacionaliste”, tha zëvendëskryeministri Lika dhe shtoi se vetëm në këtë mënyrë do të mundësohet komoditet ekonomik, me ç’rast edhe do të mund të mendohet më objektivisht për të ndjekur qëllimet tona të përbashkëta drejt NATO dhe BE. (MIA)