Analizat në laboratorin referent në BE konfirmuan praninë e OMGJ-së në bërxolla prej sojës dhe thërrime të importuara në vend nga Serbia nga ana e Kompanisë Vitalia, ndërsa të shpërndara përmes KAM SHA Shkup. Sasia prej 510 kilogramë thërrime të sojës dhe bërxollave do të shkatërrohen, ndërsa importuesit dhe operatorët do të marrin gjoba deri pesë mijë euro. Gjoba do të marrin edhe persona përgjegjës në këto kompani.
“Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) i mori rezultatet nga super-analizat e thërrimeve të sojës dhe bërxollave nga soja, të cilat, me kërkesë të operatorit me ushqim janë kryer në laboratori referent në Bashkimin Evropian. Të njëjtat, siç u konstatua edhe me analizë laboratorike fillestare, e konfirmuan praninë e OMGJ”, deklarojnë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Prej atje shtojnë se soja e importuar është me prejardhje nga kompania “Sojaprotein” nga Beçej, Republika e Serbisë, ndërsa mostrat ishin marrë nga Programi monitorues për siguri të ushqimit, të cilin e organizon Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Në Republikën e Maqedonisë, bërxollat e prodhuara të sojës janë importuar nga operatori me ushqim “Vitalia”, ndërsa janë distribuar përmes operatorit me ushqim KAM SHA Shkup. Importi i thërrimeve të sojës, është bërë nga ana e operatorit me ushqim ‘Soprodeks’, ndërsa në qarkullimin, gjithashtu janë distribuar përmes operatorit me ushqim “KAM” SHA Shkup.
“Bërxollat nga soja dhe thërrimet e sojës në sasi prej 510 kilogramëve, një pjesë e gjetur në depo, një pjesë e tërhequr nga shitja, gjenden nën mbikëqyrjen zyrtare dhe këto ditë do të shkatërrohen pa dëme, njëjtë si mostra pozitive e orizit, e prodhuar nga materiali i importuar i farës”, theksojnë nga Agjencia.
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari përgatit plan për kontroll të pranisë së OMGJ tek korrja e këtij viti të orizit që prodhohet në Republikën e Maqedonisë.
Në përputhje me Ligjin për siguri të ushqimit, është ndaluar importi, prodhimi dhe qarkullimi në Republikën e Maqedonisë të ushqimit dhe prodhimeve të ushqimit të cilët përmbajnë OMGJ, apo është i përbërë nga OMGJ.
Për importuesit dhe për operatorët e ushqimit tek të cilët kanë qarkulluar prodhime të tilla në Republikën e Maqedonisë, në përputhje me këtë ligj, ata do të gjobiten në shumë deri në pesë mijë euro në kundërvlerë të denarit, ndërsa dënim do të marrin edhe personat përgjegjës të këtyre kompanive. (MIA)