Propozim-ligji për sigurimin e kompensimit edhe për 1.600 të falimentuar është dorëzuar nga Qeveria në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, kumtoi shërbimi qeveritar për informim në seancën e sotme të 82-të.
“Qeveria në seancën e 82-të e miratoi Propozimin e Ligjit për sigurim material të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve me pronësi dominuese të shtetit që të mundësohet e drejta e sigurimit material të realizohet pa dallim nëse marrëdhënia e punës është lidhur pas shfrytëzimit të kompensimit me para në bazë të papunësisë, ka qenë për kohë të caktuar apo të pacaktuar dhe nëse është ndërprerë me vullnetin apo fajin të punëtorit”, qëndron në kumtesë.
Në këtë mënyrë, siç theksojnë nga Qeveria, do të mundësohet materialisht të sigurohen edhe 1.600 persona të papunë.
Qeveria në seancën e sotme e ka miratuar edhe Informacionin për gjendjen me përfaqësimin e drejtë të të punësuarve në Drejtorinë e të Ardhurave Publike (DAP) të RM-së dhe e ka angazhuar DAP-in të përpilojë plan për përmirësimin e gjendjes së përfaqësimit të drejtë të të punësuarve në DAP përmes marrjes së një numri të caktuar të të punësuarve nga Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në pajtim me kualifikimet dhe në pajtim me vendimin e miratuar të Qeverisë të RM-së, si dhe të përpilojë plan aksionar që të zbatohet përmirësimi i përfaqësimit të drejtë i të punësuarve. (MIA)