Sot do të dihet se a do ta tërheqë Kosova plotësisht vendimin për doganat e rritura të prodhimeve bujqësore.
Qeveria e Kosovës duhet të mbajë seancë të rregullt në të cilën, mes tjerash, do të shqyrtohen edhe argumentet e Maqedonisë për dëmet të cilat i shkaktoi kjo masë kohore.
Komisioni Evropian dje shfaqi keqardhje që vendimi është ndërprerë vetëm për vendet e BE-së, ndërsa ende është në fuqi për vendet e tjera të rajonit, për çka i bëri thirrje Kosovës të sillet në mënyrë konstruktive dhe ta zgjidhë situatën pa vonesë.
“Na vjen keq që masat mbrojtëse mbeten në fuqi për vendet e tjera, përfshirë këtu edhe partnerët rajonal në CEFTA. Kjo është shqetësuese dhe e dëmshme për bashkëpunimin ekonomik rajonal. Për këtë, KE-ja urgjentisht i bën thirrje Kosovës që të sillet në mënyrë konstruktive dhe ta zgjidhë situatën pa vonesë, veçanërisht duke pas parasysh se për momentin kryeson me CEFTA-n”, theksoi KE në reagimin.
Autoritetet e Maqedonisë presin rezultat pozitiv nga seanca e sotme qeveritare e Kosovës dhe tërheqjen e plotë të vendimit. Të premten, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi pati takim me kolegun kosovar Bajram Hasani në të cilin nuk ishte arritur marrëveshje konkrete. Ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, mori pjesë në takimin e ministrave të resorëve në rajon që u mbajt më herët në Beograd, prej ku bëri thirrje që Kosova menjëherë dhe plotësisht ta tërheqë vendimin.
Bëhet fjalë për masë kohore e cila hyri në fuqi më 18 korrik të këtij viti me paralajmërim se do të zgjasë tre muaj dhe do të vlejë për të gjitha vendet eksportuese të pemëve dhe perimeve në Kosovë. Me këtë masë doganat për këto prodhime u rritën 30 për qind. Vendimi shkaktoi reagime te tregtarët dhe prodhuesit e të dyja vendeve, si dhe te vendet e rajonit.
Eksporti nga ana e Maqedonisë nga 18 korriku pothuajse është stopuar, ndërsa dëmet për shkak të plasmanit të parealizuar dhe rënies së çmimeve në prodhimtarinë vendore numërohen në milionë euro. Shteti deri më sot nuk ka vendosur kundërmasa, ndërsa hapi i tillë hasi miratimin si nga ekonomia, ashtu edhe nga bujqit. Disa nga bujqit dolën me propozim konkret – Maqedonia t’i bllokojë kufijtë për import në maj dhe qershor kur prodhimtaria e prodhimeve kopshtare është më e madhe dhe në këtë mënyrë ta mbrojë prodhimtarinë vendore. Nga Federata Kombëtare e Fermerëve, vlerësuan se situata e tillë me Kosovën edhe një herë konfirmoi se plasmani është ende një nga pjesët më të dobëta të bujqësisë së Maqedonisë. (MIA)