Mediat gjatë kohës së referendumit të raportojnë në mënyrë profesionale, të mos anojnë gjatë raportimit si dhe të transmetojnë porosi të dërguara drejt rrënimit të dhunshëm të rendit kushtetues të vendit, drejt inkurajimit, ose nxitjes së agresionit ushtarak, gjuhës së urrejtjes ose të inkurajojnë urrejtje kombëtare, fetare, racore dhe etnike, ksenofobi ose forma të tjera të urrejtjes, bëri thirrje sot Agjencia për Shërbime Mediatike audio dhe Audiovizuele.
“Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për çështje me rëndësi të madhe, presim që mediat të sillen sipas rolit të cilin e kanë në zhvillimin e rrjedhës së pandërprerë të proceseve demokratike, gjegjësisht se do të mbështeten në dispozitat për raportimin e drejtë, të balancuar dhe të pandërprerë përmes krijimit të kushteve për qasje të njëjtë deri te mediat e palëve të interesuara”, tha në pres-konferencën e sotme drejtori i Agjencisë, Zoran Trajçevski.
Ai sqaroi se ASHMAA ka përgatitur rekomandime, të cilat tani janë në draft version, për raportimin e mediave për referendumin. Rekomandimet, tha, do të jenë përfundimtare pas 17 gushtit pasi hollësisht do të shqyrtohen të gjitha vërejtjet dhe propozimet, të cilat mund t’i japin vetë mediat.
Nga Agjencia presin raportim të paanshëm dhe modest, mediat të mos e imponojnë mendimin e tyre në përputhje me dispozitat dhe parimet të vërtetuara me Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audio vizuale si dhe Ligjin për referendum.
Trajçevski tha se gjatë fushatës mund të publikohen anketa, por se qartë duhet të theksohet porositësi, institucioni i cili e ka zbatuar, periudha e zbatimit, metodologjia e zbatuar dhe madhësia e mostrës së hulumtuar. Anketat mund të lëshohen në eter më së voni pesë ditë para referendumit.
Me rekomandimet rregullohet edhe emetimi politik te radiodifuzerët komercialë, si dhe sjellja në servisin publik, i cili ka për obligim të emitojë programe për informim të qytetarëve për mënyrën dhe teknikën e votimit, t’i mbulojë të gjitha aspektet e referendumit. Ai duhet të organizojë debate profesionale dhe emisione për referendumin, nga shumë aspekte.
Të gjitha format e propagandës publike në lidhje me referendumin, potencon Trajçevski, duhet të përfundojnë më së voni 48 orë para ditës së votimit. Gjatë kohës së heshtjes së referendumit, radiodifuzerët duhet në veçanti të kenë kujdes, deri në përfundimin e votimit të mos emitojnë informacione, deklarata, kumtesa dhe forma të tjera të raportimit me të cilat mund të ndikohet ndaj vendimit të qytetarëve.
Vendimin për shpalljen e referendumit e solli dje Kuvendi i RM-së. Referendumi duhet të mbahet më 30 shtator, ndërsa qytetarët duhet të përgjigjen në pyetjen “A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO përmes përkrahjes së marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”. (MIA)