Me zemërimin, dëshpërimin dhe lotët e disa qytetarëve u ballafaqua ministri i Mbrojtjes të Greqisë dhe partner i koalicionit në qeverinë greke, Panos Kamenos, gjatë vizitës së tij sot herët në mëngjes në lagjet e prekura nga zjarri katastrofal, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Dy vajza përmes të qarave dhe zemërimit i treguan si i kanë mbijetuar zjarrit dhe çka ka ndodhur. Kanë notuar katër orë që të shpëtojnë.
“Ata që qëndruan në tokë u dogjën. Ata që ishin thellë në det shpëtuan. Thellë, atje ku nuk shkel dot. Erdhën nga shërbimi bregdetar, por nuk mundeshin të afrohen. Na thoshin hyni në det që të shpëtoni. Si të hyjnë persona të vjetër. As në ujë të cektë nuk mund të notojnë”, tha një prej vajzave e cila me babain e saj u takuan me Kamenosin në rrugët e lagjeve që u dogjën në zjarr dhe theksuan se në det kanë qenë prej orës 18:30 deri në orën 23:00.
“Zjarri u shua në det. Fluturonte qelqi dhe fëmijëve u thosha të mos shikojnë pas tyre, katër orë notuan. U thosha mos u ktheni mbrapa sepse hynë shkëndija në sy”, përmes të qarave tregoi babai i vajzës, i cili ka një anëtar të familjes së tij më të ngushtë që me djegie serioze lufton për jetën në njërin prej spitaleve athinase.
“Zotëri ministër, helikopterët super pompë ku ishin? U dogjën njerëzit”, pyeti një prej qytetarëve.
“Prej orës 20, anijet ishin këtu”, tha Kamenos me ç’rast njëra prej vajzave u përgjigj se prej orës 18 kanë qenë në plazh, janë djegur njerëz, ndërsa varka nuk kanë parë.
“Dëshironi ta shihni shtëpinë tonë, e tëra është djegur”, me të qarë i tha një prej vajzave.
Vajza tjetër, tha se i kërkon miqtë dhe ende nuk janë gjetur trupat e të zhdukurve, ndërsa babai i saj shtoi se nuk din çka t’i thotë që ta ngushëllojë vajzën 20 vjeçare e cila e kërkon shokun e saj.
Gjatë bisedës me qytetarët, ministri i Mbrojtjes tha se armata ka tentuar të ndihmojë, sa është e mundur më shumë.
“Dhimbja njerëzore nuk zëvendësohet. Nuk mundem t’i kthej fëmijët mbrapa. E shoh vajzën time dhe e shoh vajzën nëntë vjeçare që e kërkojmë dhe e ndjej të njëjtën, sikur të jetë fëmija im”, u përgjigj Kamenos.
Ministri i Mbrojtjes, partner i koalicionit në qeverinë greke dhe lider i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos është ministri i parë nga qeveria greke, i cili i ka vizituar lagjet e prekura nga zjarri në të cilin vdiqën të paktën 81 persona, ndërsa nuk dihet numri i të zhdukurve. (MIA)