Kuvendi e miratoi llogarinë përfundimtare të Buxhetit për vitin 2017 në suaza të vazhdimit të seancës së sotëm të 53-të.
“Vitin e kaluar me sukses është menaxhuar me borxhin publik dhe si rezultat i kësaj në vitin 2017, për herë të parë pas nëntë viteve borxhi publik si përqindje nga BPV është zvogëluar”, tha ministri i Financave Dragan Tevdoski para deputetëve.
Tevdoski përkujtoi se Qeveria e re në qershor të vitit të kaluar ka gjetur borxh publik me rritje të shpejtë, i cili prej 1,5 miliardë euro në vitin 2008 është rritur në 4,7 miliardë euro në vitin 2016. Nga qeveria paraprake janë trashëguar obligime të vjetruara dhe të pashlyera gjithkund nëpër sistem.
Pas ardhjes në pushtet të Qeverisë aktuale siç tha ministri, rritja ekonomike në gjysmën e dytë të vitit 2017 ka hyrë në zonën pozitive, me normë të rritjes prej 0,7 për qind. Konsumi privat dhe eksporti vitin e kaluar janë rritur, ndërkaq papunësia është zvogëluar në 22,4 për qind.
Lidhur me të ardhurat në buxhet, ministri theksoi se ka pasur pagesë solide dhe se ajo ka qenë më e lartë krahasuar me vitin paraprak për 6,1 për qind, ndërsa në krahasim me shpenzimet rregullisht janë mbuluar të gjitha obligimet e shtetit.
“Me ribalancin në gusht të vitit 2017 nga njëra anë u shkurtuan shpenzimet joproduktive, shpenzimet për reklama, shpenzimet rrugore dhe të ngjashme, ndërsa nga ana tjetër u mundësuan masa të cilat sigurojnë përmirësim të standardit jetësor të qytetarëve apo mbështetje e ndërmarrjeve. Paga minimale u rrit në 12.000 denarë dhe kjo kontribuoji që neto paga mesatare të rritet për më shumë se pesë për qind, ku sektorët për tekstil, rroba dhe lëkurë shënuan rritje dyshifrore të pagave. Masat aktive për punësim u rritën. U siguruan edhe mjete për zgjidhjen e sigurimit material të punëtorëve të falimentuar, të cilët atëherë u përfshinë me zgjidhjet aktuale ligjore”, tha Tevdoski.
Ai theksoi se vitin e kaluar shpenzimet e kapitalit janë realizuar në nivel më të lartë historik në vlerë prej 19,86 miliardë denarë, dhe janë për 2,89 miliardë denarë më të larta në krahasim me realizimin e vitit 2016.
Deficiti buxhetor është realizuar në vlerë prej 16,86 miliardë denarë apo 2,7 për qind nga BPV. Kjo është për 1,71 miliardë denarë më pak nga projektimi më buxhetin. (MIA)