Projekt – raporti i Parlamentit Evropian për Maqedoninë jep mbështetje të plotë për fillimin e negociatave me BE-në në qershor të vitit 2019. Për raportin e PE-së do të votohet në nëntor.
“PE-ja e mbështet plotësisht rekomandimin e Komisionit Evropian dhe vendimin e Këshillit të vendoset qershori i vitit 2019 si datë për fillimin e negociatave si mirënjohje për përpjekjet inkurajuese reformuese, beson se hapja e shpejtë e procesit skrining dhe negociatave inkuadurese do të ruajë dhe thellojë momentin reformues, vlerëson se hapja e negociatave do të sillte stimulim shtesë për demokratizimin, dhe do ta forconte mbikëqyrjen dhe llogaridhënien” qëndron në draft raportin e Parlamentit Evropian për Maqedoninë.
Raporti, të cilin e ka shkruar raportuesi për Maqedoninë, Ivo Vajgël, i përshëndet marrëveshjet për fqinjësi të mirë me Greqinë dhe Bullgarinë dhe u bën thirrje autoriteteve t’i informojnë qytetarët e tyre për përmbajtjen dhe implikimet e marrëveshjes me Greqinë, si dhe në mënyrë të ndërgjegjshme t’i përmbushin të gjitha procedurat e brendshme për ratifikimin dhe zbatimin e marrëveshjes.
Dokumenti i bën thirrje Parlamentit të Maqedonisë “t’i përdorë plotësisht funksionet e tij mbikëqyrëse dhe ligjvënëse” dhe ta kufizojë përdorimin e procedurave urgjente, dhe u rekomandon partive politike të vendit t’i demokratizojnë procedurat e tyre të brendshme të vendimmarrjes.
Ashtu si në raportin e Komisionit Evropian, edhe vendimi i Këshillit për fillim të negociatave, kritikat më të mëdha kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në Maqedoni.
Raporti përkujton se korrupsioni në vend mbetet i përhapur dhe kërkon rezultate të qëndrueshme në rastet e lidhura me korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar, dhe e përshëndet punën e PPS-së në “kushte të vështira”.
PE pret edhe llogaridhënie në lidhje me bisedat e përgjuara dhe kërkon nga Kuvendi t’i rrumbullaksojë reformat e shërbimeve të inteligjencës dhe të sigurojë mbikëqyrje adekuate ndaj tyre. Maqedonia, sipas PE, duhet të përmirësojë menaxhimin me sistemet e azilit dhe migrimit dhe ta rrisë bashkëpunimin me Agjencinë Evropiane Fronteks.
PE e përshëndeti edhe miratimin e ligjit për gjuhët, por kritikoi taktikat që kanë për qëllim minimin e miratimit të ligjit në përputhje me procedurat.
Raporti vlerëson se përmirësimet në sferën e mediave dhe raportimi i pavarur janë modest, por e përshëndeti heqjen e reklamave qeveritare në media si masë e rëndësishme.
“PE bën thirrje për mbrojtje shtesë kundër partizimit të mediave, e thekson nevojën që të përforcohet pavarësia dhe kapacitetet e rregullatorit medial dhe shërbimit publik, bën thirrje për masa për rritjen e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe të drejtave sociale të gazetarëve,” qëndron në raport.
Parlamenti Evropian kërkon edhe të ketë hetime për kërcënimet dhe frikësimet e gazetarëve dhe dënon çdo lloj gjuhe urrejtjeje dhe retorike populiste.
Deputetët evropianë për këtë raport fillimisht duhet të votojnë në nivel të komitetit në fillim të nëntorit, ndërsa në seancë plenare në nëntor.
Raportuesi Ivo Vajgëll do ta vizitojë Shkupin të hënën dhe të martën javën e ardhshme. (MIA)