Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov sot dhe nesër do të marrë pjesë në konferencën e pestë në nivel të lartë për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në Londër nën patronazhin e kryeministres britanike, Tereza Mej.
Konferenca organizohet në kuadër të “Procesit të Berlinit”, anëtarë të së cilës janë gjashtë vende nga Ballkani Perëndimor- Maqedonia, Serbia, Kosova, Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovina, Shqipëria dhe pesë shtetet anëtare të BE-së- Gjermania, Austria, Franca, Italia dhe Britania e Madhe.
Në cilësinë e vëzhguesve të procesit pjesëmarrës janë Sllovenia dhe Kroacia.
Në margjinat e Samitit në Londër, ministri Nikolla Dimitrov bashkë me eurokomisarin, Johanes Han nesër do të kenë fjalime në Çatam Haus- Institutin britanik mbretëror për marrëdhënie ndërkombëtare në panel diskutimin “Pas Procesit të Berlinit – e ardhmja e rajonit në dekadën e ardhshme”, dedikuar Ballkanit Perëndimor.
(MIA)