Marrëveshja për emrin e Maqedonisë dhe pakti i Detit me Shqipërinë, janë dy çështjet e nxehta që ka komentuar së fundmi, ministri grek i Mbrojtjes Panos Kamenos.
Lidhur me emrin e Maqedonisë ai ka kërcënuar kryeministrin Aleksis Tsipras me zgjedhje të parakohshme ose referendum.
“Marrëveshjen e lidhen liderët, por nga kjo nuk duhet të përjashtohet populli grek”, ka thënë Kamenos në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat.
Duke i kujtuar kryeministrit referendumin dhe zgjedhjet, Kamenos tha se marrëveshja me Maqedoninë për emrin nuk ka asnjë vlerë nëse nuk ratifikohet nga Parlamenti grek me të gjitha votat e deputetëve.
Përsa i përket Paktit të Detit me Shqipërinë, Kamenos theksoi se Çamëria është një çështje për të cilën nuk do të negociohet kurrë. Ai madje ka shkuar më tej duke i etiketuar çamët si “kriminelë lufte që kanë bashkëpunuar me nazistët”.
“Shqipëria po fillon të kuptojë se është në të mirë të saj që të ketë marrëdhënie të mira me Greqinë. Epiri i Veriut është rajoni ku grekët kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë. Çfarë thuhet në lidhje me pretendimet pronësore nuk është e lidhur me çamët. Çamët janë kriminelë lufte që bashkëpunuan me nazistët dhe me kriminelët e luftës ne nuk negociojmë”, deklaroi Kamenos.
Burimi: MaqedoniaShqiptare