Nga 1 janari viti 2019 trajtim falas në spital për të gjithë qytetarët, paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev në seancën e sotme parlamentare për pyetje deputetësh.
“Njëkohësisht objektivi i vendosur para nesh në shëndetësi është që nga 1 janari i vitit 2019 të vendosim trajtim spitalor falas për të gjithë qytetarët. Deri më tani kishim kapacitet atë ta bënim për fëmijët e pranuesve të asistencës sociale”, tha Zaev.
Jam i bindur, shtoi kryeministri, se ashtu siç po punojmë nga 1 janari i vitit 2019 përveç trajtimit spitalor falas do të rritet edhe paga, të ardhurat totale neto të mjekëve specialistë në Maqedoni do të jenë 100 mijë denarë.
“Besoj se do të ketë kapacitet të mjaftueshëm në buxhet dhe në fillim të shkurtit, kur mjekët do ta marrin pagën e janarit, të kenë gjithsej të ardhura prej 100 mijë denarësh. Nëse arrijmë deri në vitin 2020 për përmirësimin e performancës buxhetore, do të vazhdojmë, mjekëve specialistë pa kujdestari, t’ju sigurojmë 100.00 denarë të ardhura neto mujore”, tha Zaev.
Në pyetjen lidhur me deponitë, kryeministri u përgjigj se Shkupi e zgjidh problemin me “Drisla” dhe shpreson se për një kohë të shkurtër do të ketë epilog gjyqësor që të mund, siç shtoi, rajoni i Shkupit përfundimisht të ketë zgjidhje për këtë problem.
“Rajoni Verilindor dhe Lindor së bashku e zgjidhin çështjen me mbeturinat, me të holla nga BE-ja përmes IPA: Me lokacion në Sveti Nikollë dhe ky proces është në rrjedhë dhe atje do të ndërtohet deponi rajonale për dy rajonet” tha duke shtuar se për rajonin e Tetovës dhe të Pollogut tanimë ka filluar përpunimi i studimit të fizibilitetit.
“Qeveria zvicerane përmes Agjencisë Zvicerane për zhvillim jep jo më pak se shtatë milionë euro, për deponi rajonale në rajonin e Pollogut”, informoi Zaev.
“Në katër rajonet e tjera i presim vendimet e këshillave të komunave që të mundet shteti përmes MMJPH në mënyrë të drejtpërdrejt të shpall konkurs për përzgjedhjen e koncesionarëve të cilët do të ndërtojnë deponi sanitare rajonale në katër rajone. Procedurat vijojnë në përputhje me dinamikën e paraparë”, tha Zaev.
Burimi: Koha