Perspektiva e qartë evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Maqedonisë mbetet prioritet i lartë i kryesimit austriak me BE-në. Maqedonia asnjëherë nuk ka qenë më afër Unionit se sa tani dhe për këtë arsye duhet të qëndrojë në rrugën e reformave, ndërsa Austria do të jetë mbështetës i saj i fuqishëm në këtë rrugë, porositi ambasadorja e Austrisë në Maqedoni Renate Kobler, duke i prezantuar prioritetet e kryesimit austriak me BE-në para Komisionit kuvendor për çështje evropiane.
Maqedonia, tha ajo, kishte arritje të shkëlqyeshme në përpjekjet reformuese vitin e kaluar, arritje nga, siç potencoi, përmasa historike në marrëveshjet për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe për emrin me Greqinë që, sipas saj, në mënyrë adekuate ka reflektuar në konkluzionin e paradokohshëm të Këshillit të Bashkimit Evropian.
“Asnjëherë nuk keni qenë më afër BE-së se tani. Vendi juaj ka shumë punë. Ka datë të qartë për ju, shumë punë para jush, bashkërisht le ta përfundojmë këtë”, tha Kobler.
Ajo shtoi se si kryesim austriak do të punojnë në arritjen e rezultateve konkrete në afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së dhe do ta vazhdojnë punën e mirë nga samiti i Sofjes.
Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane Bujar Osmani konsideron se Austria është mbështetëse e fuqishme e vendeve të rajonit dhe Maqedonisë në realizimin e qëllimeve të tyre strategjike që të bëhen pjesë e BE-së.
“Kjo për ne paraqet nxitje që të vazhdojmë me momentumin pozitiv reformues, duelin politik dhe së bashku ta kalojmë rrugën deri në fillim të negociatave”, tha Osmani.
Koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së Tomisllav Tuntev theksoi se në detyrat vijuese reformuese do të punohet me dinamikë të fuqishme dhe vullnet të mirë jo vetëm për shkak të përmbushjes së qëllimit për anëtarësim në BE, por edhe për të mirën e qytetarëve.
“Nga Austria si kryesuese presim që të sigurojë vlerësim real të reformave që do t’i zbatojmë, në progresin që e siguruam dhe në gjithçka që do ta realizojmë në periudhën e ardhshme”, tha Tuntev.
Ai shtoi se pret që edhe opozita ta pranojë, siç tha, momentin historik në të cilin ndodhet Maqedonia dhe se bashkërisht do ta realizojnë atë që është e domosdoshme.
Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane Artan Grubi theksoi se deputetët e opozitës edhe pse paraprakisht kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në këtë seancë, në moment të fund kanë informuar se këtë nuk do ta bëjnë. Grubi beson se në periudhën e ardhshme opozita do të inkuadrohet në realizimin e detyrave që pasojnë para vendit.
Ambasadorja austriake Kobler tha se kryesimi gjashtëmujor i Austrisë me BE-në vjen në një moment të ndjeshëm për shkak të Bregzitit, krizës së emigrantëve, zgjedhjet që duhet të mbahen vitin e ardhshëm…Potencoi se sferat prioritare në të cilat do të fokusohen si kryesim janë siguria në Evropë, sigurimi i prosperitetit dhe konkurrencës, si dhe stabilitet në fqinjësinë evropiane me perspektiva për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Kjo është hera e tretë që Austria kryeson me Bashkimin Evropian. (MIA)