Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska sot deklaroi se ende nuk ka qëndrim përfundimtar nëse do të ketë ndryshime të rregullativës ligjore për organizim dhe zbatim të referendumit, në kontekst për zgjidhjen e kontestit me emrin.
“Për momentin nuk kemi sjellë vendim përfundimtar rreth asaj se nëse do të shkohet me ndryshim të Ligjit për referendum ose jo. Kemi parasysh se bëhet fjalë për ligj i cili është i vjetër dhe nuk është harmonizuar me Kodin Zgjedhor”, deklaroi sot ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska.
Sipas saj, kur do të bëheshin ndryshime ato do të ishin thjesht teknike. Ndryshime thelbësore, sipas Deskoskës, nuk janë planifikuar.
“Për shembull në tekstin e Ligjit për referendum qëndron se referimi në ligjin për Kodin Zgjedhor, që nuk ekziston dhe është ndryshuar me Kodin Zgjedhor, pastaj qëndron referimi i ligjit për zgjedhje të deputetëve i cili gjithashtu nuk ekziston, tani është ndryshuar me Kodin Zgjedhor. Gjithashtu, pjesa sa i përket mbrojtjes të së drejtës së votimit dallon nga mbrojtja e të Drejtës zgjedhore. Ligji për referendum operon me procedurë me mbrojtje para Gjykatës Supreme derisa madje Kodi Zgjedhor referon në procedurën para Gjykatave administrative”, tha ministrja e Drejtësisë.
Çështje e referendumit do ta definojë Kuvendi, thotë Deskoska, varësisht se kur do të caktohej datë për referendumin.
“Nga shpallja e referendumit deri te votimi mund të kalojnë më së shumti 90, ndërsa më së paku 60 ditë. Ato janë afate ligjore”, tha Deskoska.
Nga Ministria e Drejtësisë, thotë ajo, deri tani nuk janë kërkuar aktivitete lidhur me referendumin.
Ministrja e Drejtësisë Deskoska sot kishte fjalim në seminarin e 98-të Ros-Rot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në sesionin kushtuar Përforcimit të qeverisjes së të drejtës, reformës në administratë dhe gjyqësi, luftë kundër korrupsionit.
Ajo foli për reformat vijuese në sektorin e saj, duke i pasur parasysh vërejtjet e BE-së.
“Reformat në sferën e gjyqësisë tanimë janë filluar. Është sjellë Strategji për reforma në gjyqësi. Tanimë janë bërë një pjesë e ndryshimeve të ligjeve, por gjithashtu na pret një turnus i ri i ndryshimeve të cilat duhet të përfshijnë një pjesë të ligjeve për gjyqësi – Ligji për gjykata i cili miratohet me shumicën e dy të tretës…Tekstet ligjore të cilat janë miratuar për ligjin për gjykata dhe për këshill gjyqësor tanimë janë dërguar në Komisionin e Venecies, presim nga ata mendim për atë që deri tani është ndryshuar dhe se nëse në mënyrë dinjitoze janë implementuar rekomandimet të cilat paraprakisht janë dhënë. Në procesin e reformave bazë fillestare do të kemi rekomandimet e Komisionit të Venecies, mendimet dhe qëndrimet e KE-së dhe gjithsesi ajo çka do të thotë Raporti i Pribesë”, tha Deskoska.
Planifikohen edhe mekanizma për implementim të ligjeve.
“Një pjesë do të përfshijë trajnimin e gjykatësve në kuadër të kryerjes së aktiviteteve të tyre, thellim të diturisë me qëllim të afrimit deri te standardet evropiane për ushtrim të funksionit të gjykatësve”, tha ministrja e Drejtësisë.
Janë paraparë edhe ndryshime të ligjit për Prokurorinë Publike të cilat gjithashtu janë ligj me të dy tretën dhe kërkon konsensus më të gjerë për miratim dhe i cili është pjesë e pakos.
“Në Ministrinë e Drejtësisë është formuar grup pune i cili punon në ndryshime të rregullativës ligjore për parandalim të korrupsionit që do të thotë mënyrë e re e formimit të komisionit të antikorrupsionit dhe gjithsesi ndryshime në kompetencat e tij. Dëshirojmë të krijojmë instrument efikas në luftën me korrupsionin”, tha Deskoska. (MIA)