Aleksandar Vasilevskit – Ninxhës për shtatë ditë në paraburgim i janë konfiskuar dy telefona celularë që në burgun e Shutkës janë rreptësishtë të ndaluar. Jozyrtarisht brenda burgut po zhvillohet hetim intern për atë se si Ninxha, i cili është cilësuar si organizatori kryesor i hyrjes së dhunshme në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar, ka arrit dy herë të gjejë telefona celularë. Alsat M nga burimet e veta në burgun e Shutkës mëson se ekziston mundësia që telefonat Vasilevskit t’i jenë siguruar nga gardianët e burgut.
Hetimi duhet të tregojë nëse edhe të punësuarit në burgun e Shutkës janë pjesë e rrjetit që për një çmim të caktuar siguron telefon celularë. Pas bastisjes së parë të qelisë së Vasilevskit, gardianët ia kanë konfiskuar telefonin. Ditën e ardhshme, Ninxha ka siguruar një telefon tjetër, i cili gjithashtu i është marrë. Për momentin Gjykata Penale nuk konfirmon nëse telefonat e konfiskuar janë dorëzuar për ekspertizë për t’u vërtetuar nëse Vasilevski ka komunikuar me dikë prej të akuzuarve tjerë në ngjarjet e 27 prillit. Alsat një ditë më parë njoftoi se Ninxha është marrë në pyetje në Prokurorinë e Krimit të Organizuar, por është mbrojtur me heshtje.
Sipas aktakuzës, ai në 27 prillin e vitit të kaluar, ka pranuar thirrje nga Vjena dhe ka filluar mobilizimin e njerëzve. Telefonata nga Austria ka qenë nga vëllai i tij, i cili është truproja e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, që në atë ditë ishte në udhëtim zyrtar atje. Prokuroria në dokument ka shtruar se grupimi për hyrjen e dhunshme në Parlament është realizuar për shkak se grupi i Ninxhës e ka ditur se objekti ka sigurim të dobët me polic. Ndërkohë Gjykata Penale për dy ditë duhet të vendosë nëse aktakuza për terrorizëm do t’i kalojë filtrat dhe 30 të akuzuarit do të gjykohen për terrorizëm dhe cenim të rendit kushtetues.
Burimi: AlsatM