Tirana zyrtare ka përshëndetur marrëveshjen e nënshkruar mes Maqedonisë dhe Greqisë, duke e vlerësuar si një kapitull i ri për fqinjësi të mirë.
“Në Prespën e bukur, çka i bashkon të tri popujt dhe vendet tona fqinjë, qytetarët e dy vendeve, rajoni, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara, ishin dëshmitarë të një kapitulli të ri të lidhjeve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në frymën evropiane”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Ministria e Jashtme mendon se të dyja vendet duhet t’i realizojnë të tërë hapat për ta vendosur në fuqi marrëveshjen.
Ndërkaq, edhe autoritetet e Kosovës e kanë përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes për emrin e Maqedonisë ndërmjet kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev dhe atij, Aleksis Cipras.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në llogarinë e tij në “Tuiter”, ka shkruar se marrëveshja e nënshkruar sot mes kryeministrave Zaev dhe Cipras përbën një kontribut të madh në përmbylljen e paqes në rajonin tonë.
“Integrimi euroatlantik i Maqedonisë është mirë edhe për Kosovën”, ka shkruar Thaçi.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka cilësuar “historike” marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë.
“Një akt ky i guximshëm dhe i drejtë, që kontribuon jo vetëm në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve nënshkruese, por në paqen dhe stabilitetin e mbarë rajonit”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në “Facebook”.
“Jam veçanërisht i lumtur për bashkëkombasit tanë që jetojnë në shtetin fqinj për faktin që rruga drejt integrimit Euro-Atlantik tashmë është zhbllokuar”, ka shtuar ai.
(MIA)