Pas protestave të mbrëmshme, situata sot para Kuvendit të Maqedonisë është e qetë dhe se nuk ka prani të shtuar policore.
Janë hequr barrikadat e vendosura në rrugë dhe se ka lëvizje të lirë të makinave. Megjithatë në anën tjetër të parkut përballë Kuvendit akoma gjendet tenda të improvizuara nga protestues në numër të vogël, të cilët për disa ditë me radhë po protestojnë kundër marrëveshjes së re për emrin.
Ekipet policore janë të pranishme në të gjitha anët e Kuvendit por në numër më të vogël.
Shtatë pjesëtarë të policisë janë lënduar në protestën e dhunshme që u mbajt mbrëmë para Kuvendit të Maqedonisë, bëri të ditur Ministria e Brendshme, transmeton INA.
Sipas komunikatës të lëshuar për mediat, policia ka arrestuar 25 protestues të dhunshëm. “Gjatë protestës së mbajtur mbrëmë para Kuvendit, një pjesë e demonstruesve kanë përdorur mjete spërkatëse dhe me dhunë kanë rrëzuar barrikadat policore, duke tentuar me dhunë për të hyrë në Kuvend. Me qëllim të mos eskalimit të situatës, policia ka përdorur gaz lotësjellës në përputhje me procedurat dhe rregullat e saj për mbrojtje dhe siguri”, informoi MPB.
Nga kjo ministri u theksua se respektojnë të drejtën e protestës së qetë, por nuk do të lejohet përdorimi i dhunës si dhe prishja e rendit dhe qetësisë.
Protestat e thirrura përmes rrjeteve sociale shpërthyen me dhunë në Shkup gjatë orëve të mbrëmjes, pasi që dje u firmos marrëveshja për emrin në Psarades të Greqisë.
Burimi: Albeu