Qasja e shoqërisë në Maqedoni ndaj Romëve mund të shihet edhe nga sjellja e institucioneve, përfaqësuesve të pushtetit dhe politikanëve të cilët nuk arritën të marrin guximin e mjaftueshëm të marrin pjesë në panel diskutimin “Kush i “rrotullon” Romët” në organizim të CIVIL – Qendrës për Liri, në korniza të projektit “Media të lira për shoqëri të lirë”.
“Për fat të keq, nuk janë prezentë përfaqësues të partive politike që janë pjesë e Grupit punues për përfaqësimin e të drejtave të Romëve, edhe pse ishin të ftuar. Me siguri kanë punë më të rëndësishme, si për shembull blerje të kostumeve për ditën e Bajramit. Unë kërkoj falje në emër të Civilit që nuk do t’i dëgjojmë edhe ata. Zotëriu Samka Ibraimovski, edhe pse pranoi të merr pjesë në panelin, deri në këtë moment nuk u përgjigj për mungesën e tij, edhe pse e konfirmoi prezencën. Nga Ministria për punë dhe politikë sociale pranuam përgjigje se e kanë pranuar ftesën për panelin, por, as nga ata, deri në këtë moment nuk kemi përgjigje”, tha moderatori Dehran Muratov, në fillim të panelit.
“Problemet me të cilat përballet bashkësia Rome janë me të vërtetë alarmante dhe zgjasin me dekada. Në këtë rast duhet të jemi të drejtpërdrejtë, siç ishte kolegu Dehran, dhe t’i ulim të gjitha pengesat që mos ta lëndojmë asnjërin. Të drejtat e njeriut janë parësore. Kjo është ajo që na bën njerëz…Komuniteti Rom në Maqedoni është shfrytëzues i qindra milionave valuta të huaja në kornizën e Dekadës së Romëve, në programe të ndryshme të fondacioneve të vogla dhe të mëdha, në programet e organizatave joqeveritare për të drejtat e njeriut dhe nëpër të gjitha institucionet në shoqëri …Ne kemi kuptuar dhe është vërtetuar fakti se nuk është realizuar pothuajse asgjë me mjetet e pranuara për ata shfrytëzues që kanë nevojë për ndihmë. Ky është problem jo vetëm i donatorëve, por edhe i tyre me siguri, si dhe i klikës së korruptuar politike e cila e përjeton veten si përfaqësues politik i Romëve. Ky është vetëm edhe një tregues për korrupsionin në vend”, tha Xhabir Deralla.
Akif Kareman përmes shembullit me protestat më 8 prill, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, tregoi se nuk nevojiten para që të bëhet ajo që është e drejtë. Në aspektin e sektorit joqeveritar të Romëve, Akifi theksoi se ka iniciativa, por se shkon rëndë sepse çdo herë ka rryma të ndryshme dhe secili i mbron interesat e veta. Për keqpërdorimin e bashkësisë Rome në kontekst politik dhe zgjedhor, shtoi se nuk ka Romë në pozita nga të cilat realisht mund të kontribuojnë për ndryshime në statusin e bashkësisë Rome.
“Me siguri kjo ka të bëjë me kapacitetet e partive politike, por edhe me mosbesimin në Romët si elektorat dhe se munden lehtë të fitohen votat e tyre në zgjedhje. Edhe pse ka ligje, ato nuk zbatohen”, vlerëson Kariman.
Aljush Eminov, në emër të qytetareve dhe qytetarëve të pastrehë, theksoi se problemi nuk zgjat dy vite, problemi ekziston më tepër se 27 vite, në vende të ndryshme në qytete të ndryshme.
“Problemi nuk është i zgjidhur sepse shteti nuk na konsideron si popull, si njerëz. Kishim një shpresë të vogël, një copë shprese, kur na premtuan se punët do të shkojnë mirë. Kjo që po ndodh tani është copy-paste e të kaluarës. Na premtuan baraka në Vizbeg dhe kushte normale për jetë…Pastaj doli se është dashur të plotësohen kushte, gjegjësisht, të jetojnë për 5 vite nën Kalanë e Shkupit që të mund t’i strehojnë…Mund të manipulohet me shtatë familje të vendosura në qendrën “Ranka Millanoviq”, por ne jemi shumë…”, ishte pjesa e fjalimit të Eminovit.
Në panelin u hapën edhe tema për trajtimin e Romëve nëpër burgjet, pë premtimet parazgjedhore dhe çfarë nga ato premtime realisht realizohet, për segregimin dhe diskriminimin e Romëve në arsim…
Të gjitha këto tema shkaktuan diskutim të ashpër që hapi edhe shumë çështje për statusin e Romëve në Maqedoni. Nën udhëheqjen e shkëlqyer të moderatorit Dehran Muratov, diskutimi u bë debat serioz dhe gjithëpërfshirës, duke lënë vend jo vetëm për të menduar, por edhe për veprime përmes aktiviteteve konkrete për përmirësimin e jetës së Romëve në Maqedoni dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të tyre.
Maja Ivanovska