Me punëtori, në të cilën u prezantuan rezultatet e tuining projektit “Mbështetje e Entit Shtetëror të Statistikës në ndërtimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e marrëveshjeve të statistikave me standardet e BE-së”, sot në Shkup u shënua përfundimi i projektit 20-mujor në vlerë prej 742.000 eurove, nga të cilat 95 për qind janë ndihmë nga Bashkimi Evropian, ndërsa pesë për qind janë bashkëfinancuar nga shteti.
Projekti u zbatua nga institucionet kombëtare statistikore të Italisë dhe Sllovenisë, të cilat përmes 84 misioneve dhe katër vizitave studimore punuan së bashku me statistikorët e Entit Shtetëror për Statistikë (ESHS).
Qëllimi i projektit ishte që të rritet kapaciteti i ESHS-së për përmirësim të mëtutjeshëm të harmonizimit me të drejtën e BE-së në sferat e llogarive kombëtare, statistikave ekonomike dhe statistikave sociale.
“Projekti filloi në tetor të vitit 2016 dhe do të përfundojë pasnesër. Së pari ishte planifikuar të zgjasë 16 muaj, por Komiteti menaxhues vlerësoi se duhet të vazhdohet edhe për katër muaj, pa ndryshime të buxhetit, me qëllim që të ketë kornizë më reale kohore për implementim të përmirësimeve të kërkuara metodologjike. Edhe pse kishte ndryshim të udhëheqësisë së ESHS-së në mes të projektit, kjo nuk solli kurrfarë ndryshime në implementimin e tij”, tha drejtori i ESHS-së, Apostol Simovski në fjalimin e tij.
Ai theksoi se projekti është hap i madh për harmonizim të statistikës së Maqedonisë me legjislaturën evropiane si parakusht për anëtarësim në BE. Theksoi se u përqendrua në aspekte specifike nga llogaritë kombëtare, statistikat ekonomike she statistikave sociale, të cilat ishin identifikuar si sfera të cilat kërkojnë vëmendje të veçantë dhe punë më të hollësishme.
“Tranzicioni drejt sistemit evropian i llogarive 2010 vazhdon në mënyrë më efikase falë njohurive të fituara gjatë këtij tuining projekti. Konfirmuam se është i zbatueshëm kalimi nga metoda tradicionale e implementimit të regjistrimit drejt metodës së kombinuar të regjistrimit, prandaj edhe regjistrimi në vitin 2020 do të implementohet pikërisht në këtë mënyrë”, tha Simovski.
Ai, siç deklaroi para fillimit të ngjarjes, propozon që në regjistrim të mos ketë grafë për nacionalizëm dhe për përkatëse fetare që të tërhiqet politika nga operacionet më të rëndësishme statistikore dhe konsideron se e vetmja gjë që duhet të jetë në grafë është gjuha, në të cilën flitet që të mund të mbahen të drejtat e fituara apo të fitohen të reja.
Euroambasadori Samuel Zhbogar, porositi se regjistrimi në vend është sfidë kryesore dhe shtoi se BE-ja është e gatshme ta mbajë në të gjitha nivelet.
“Statistika e liruar nga ndikimet politike mund ta përmirësojë jetën në vend, sepse është shumë me rëndësi të ketë të dhëna precize statistike”, tha Zhbogar.
Ambasadori italian Karlo Rome, theksoi se INSTAT, Organizata nacionale për statistika e Italisë, e cila është bartëse e tuining projektit, ka më shumë se 90 vite përvojë dhe funksionin komplet në mënyrë të pavarur dhe është në interaksion të vazhdueshëm me bashkësinë akademike dhe të përgjithshme në Itali.
Ai theksoi se regjistrimi është vetëm një mjet që të sigurohet një fotografi e azhurnuar për shumë aspekte nga shoqëria dhe vendi dhe shtoi se mbajtja e paralajmëruar e regjistrimit në vitin 2020 vetëm do ta vendos në test ESHS, por do të jetë i domosdoshëm edhe bashkëpunimi nga qytetarët dhe institucionet që të sigurohen informacione cilësore për kreatorët e politikave. (MIA)