Kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras sot duhet të realizojnë edhe një bisedë telefonike në suaza të procesit të negociatave për zgjidhjen e kontestit me ermin, pasi dje biseduan 60 minuta.
Të dy kryeministrat ranë dakord që sot me telefon të vazhdojnë me bisedimet mbi kontestin me emrin, ndërsa sipas vlerësimeve të të dyja palëve, negociatat janë nga fundi, ndërsa ka shpresë dhe pritje për arritje të një zgjidhjeje përpara Samitit të BE-së më vonë gjatë këtij muaji.
Për bisedën e djeshme, kabineti i Ciprasit theksoi se ka kaluar në klimë të mirë dhe të dy kryeministrat janë dakorduar t’i përfundojnë bisedat e tyre në kontaktin e sotëm telefonik.
Zaev dje shfaqi shpresë se shumë shpejtë do të arrihet zgjidhje për kontestin me emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe shtoi se kjo mund të ndodh në Samitin e BE-së të caktuar për më 28 dhe 29 qershor.
“Qëllimi ynë përfundimtar është të kemi marrëveshje korrekte të bazuar në fakte, e cila do të na vendos në tryezë me të gjitha vendet pro-perëndimore dhe ku në mënyrë të barabartë, krah për krahu, do ta forcojmë identitetin tonë, do të forcojmë ekonominë dhe do të hapim perspektivat. Me siguri optimizmi im do të realizohet. Por përfundimi do të jetë kur do të përfundojë gjithçka. Shpresoj të jetë nesër”, tha kryeministri mbrëmë në debatin në “Top tema”.
Kryeministri i Maqedonisë theksoi se është e rëndësishme të arrihet një zgjidhje cilësore e cila do të mbështetet ligjërisht, dinjitoze dhe do ta ruajë identitetin, sepse më tej kjo zgjidhje duhet të ketë jehonë pozitive te qytetarët e vendit, të cilët duhet në fund të prononcohen në referendum.
“Në fund të shtatorit, në fillim të tetorit mund të mbahet referendum për emrin” , paralajmëroi Zaev, dhe shtoi se ky term është i përshtatshëm që të përfundohen të gjitha proceset deri në fund të vitit.
Kthimi i frustrimit, radikalizmit, kuazoipatriotizmit, nacionalizmit, janë pasojat e refuzimit të mundshëm të marrëveshjes me Greqinë në referendum, sipas kryeministrit të Maqedonisë.
“Tërë kjo nuk na duhet. Ne ndërtojmë shoqëri civile, multietnike. Maqedonia ka perspektivë ‘të regjistruar në kadastër me fletëpronësi’, si çdo vend normal, perspektivë si anëtare e NATO-s, e BE-së. Ky do të jetë stimulim edhe për reformat dhe për avancimin e jetës së qytetarëve, Nuk dua as të mendoj çfarë do të ndodh nëse nuk ka sukses. Duhet të shikojmë para dhe jam i bindur se këtë mundësi nuk do ta lëshojmë si qytetarë të Maqedonisë”, tha Zaev.
Ai nuk druan nga pakënaqësia pas shpalljes së marrëveshjes, dhe shtoi se qytetarët do t’i marrin parasysh të gjitha argumentet, të gjithë faktorët dhe do të paraqesin qëndrimin e tyre.
Për garancitë nga Greqia dhe bashkësia ndërkombëtare se ajo që është dakorduar, do të zbatohet”, Zaev thotë se kjo është parashikuar në marrëveshje.
Shfaqi shpresë se presidenti Gjorge Ivanov nuk do të pengojë tërë procesin, duke vendosur veto në marrëveshje, e cila do të ratifikohej në Parlament.
“Besoj se Ivanovi ia mendon të mirën Maqedonisë dhe se nuk do t’i lejojë t’i jap arsye Greqisë të mos dërgojë letër në BE dhe NATO”, theksoi kryeministri.
Shefi i diplomacisë greke Nikos Koxias dje në një intervistë për televizionin grek “Kontra”, duke komentuar bisedën telefonike midis dy kryeministrave, tha se është bërë hapi vendimtar .
Lidhur me perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë, Koxias tha se me ratifikimin e marrëveshje në Kuvendin tonë, Greqia do të japë dritën jeshile në Samitin e ministrave të jashtëm të BE-së më 25 qershor dhe nëse ajo shkon sipas planifikimit NATO do të dorëzojë ftesë për anëtarësim e vendit tonë.
Sa i përket asaj se kur marrëveshja do të arrijë në parlamentin grek, Koxias theksoi se është e nevojshme të përfundojnë të gjitha proceset e brendshme në vendin tonë që të fillojë procesi për anëtarësimin në BE dhe NATO, e pastaj edhe Greqia do të ratifikojë marrëveshjen që të hyjë në fuqi.
Duke folur për emrin, Koxias theksoi se kjo do të kumtohet pas bisedës midis dy kryeministrave, nëse sot kompletohen hollësitë, por zbuloi se emri tashmë është përzgjedhur. Ndërsa për gjuhën, e përsëriti qëndrimin se gjuha maqedonase u njoh që në vitin 1977 nga KB.
Zaev dje nuk deshi të spekulojë lidhur për zgjidhjen e mundshme të emrit dhe nëse Republika e Maqedonisë Veriore është zgjidhja e mundshme, si më e përmendura në media, duke theksuar se zgjidhja do të jetë cilësore dhe do të ruajë dinjitetin dhe identitetin e të dyja palëve.
(MIA)