Kryeministri Zoran Zaev tha se në telefonatën e sotme me homologun e tij grek Aleksis Cipras pret që të përmbyllen të gjitha aspektet dhe të arrihet marrëveshje për çështjen e kahmotshme për emrin.
“Dje me të vërtetë kishim përmirësim cilësor të bisedimeve. Shpresoj se sot do të mundet diçka të këndshme t’i deklarojmë publikut. Thashë se jam optimist dhe se është e mundur të arrihet marrëveshje, por sot kemi edhe një bisedë thelbësore, për mua shumë të rëndësishme. Shpresoj se do t’i finalizojmë të gjitha aspektet për të përmbushur pritshmëritë e të dy palëve”, tha Zaev, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas hapjes së Forumit të biznesit-projektet e investimeve dhe mundësi në sektorin e transportit, energjetikës dhe mjedisit jetësor në Republikën e Maqedonisë.
Zaev theksoi se dy kryeministrat, dy ministrat e punëve të jashtme, dy Qeveritë dhe një shumicë e madhe e qytetarëve të dy vendeve janë të interesuar për zgjidhje përfundimtare të këtij problemi të kahmotshëm.
“Nëse ndodh sot, dhashtë Zoti marrëveshje, ne menjëherë do ta bëjmë publike me gjitha detajet, ndërsa besoj se nëse ka marrëveshje atëherë do të duhet të bëjmë agjendë. Për Prespën e dimë sepse ishte një dëshirë shumë kohë më parë, madje që në procesin e negociatave të bëhet një takim. Por, në këtë rast unë do të kisha pritur, të ecim hap pas hapi, të shohim njëherë nëse do të ketë marrëveshje, ndërsa nëse ka marrëveshje menjëherë do të caktojmë agjendat, agjendat e deklaratave dhe informimit në shtëpi të të gjithë faktorëve politikë të qytetarëve, por dhe pjesën e nënshkrimit eventual”, tha Zaev, i pyetur për shkrimet e mediave greke se marrëveshja e mundshme mund të nënshkruhet në fundjavën e ardhshme në Prespë.
Në lidhje me emrat të cilat përmenden në publik si zgjidhje e mundshme, Zaev tha se opinioni do të njoftohet menjëherë pasi të arrihet marrëveshje.
“Veriore, e Epërme, e Re, e Vardarit, shumë emra ishin në opsion, i dini edhe propozimet e Nimic, unë do të prisja deri në fund për të njoftuar sepse ne të vërtet ende nuk kemi marrëveshje. Unë shpresoj se ndoshta do të kemi ose shumë shpejtë do të kemi. Por, pasi të kemi, menjëherë do të njoftojmë për të gjitha detajet e marrëveshjes”, tha kryeministri Zoran Zaev.