Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do të mbajë seancën e 49. ku në rend dite janë përzgjedhja e ministrave të rinj në Qeveri, zëvendësministrave, ndërsa si pikë e tretë në rendin e ditës është propozim-vendimi për shpalljen e thirrjes për anëtarë të Komisionit shtetëror zgjedhor.
Kryeministri Zoran Zaev në Kuvend javën e kaluar dorëzoi propozim për ministra të rinj sipas të cilit, për ministre të re të Drejtësisë propozohet Renata Deskoska, ministër i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, i Kulturës Asaf Ademi dhe ministër pa resor Bardhyl Dauti.
Për zëvendësministër i Punëve të Jashtme është propozuar Andrej Zhernovski, zëvendësministër i Shëndetësisë Asim Musa, për zëvendësministër i Punës dhe Politikës Sociale Gonul Bajraktar dhe i Transportit dhe Lidhjeve, Sadik Beqiri.
Si partnerë të rinj të koalicionit në Qeveri hynë krahu i Besës i Afrim Gashit dhe PDSH, të cilët kanë vende ministrore, si dhe Lidhja e Romëve.
Pritet që në seancë kryeministri Zaev ta elaborojë propozimin, pas të cilit do të hapet debat. Ministrat e rinj duhet të zgjidhen deri në mesnatë. Nëse përzgjedhja bëhet më parë, Kuvendi do të bëjë zgjedhjen e zëvendësministrave. Në të kundërtën, ka gjasa seanca të vazhdojë të shtunën.
Në përputhje me ndryshimet e votuara të Kodit Zgjedhor në kuadër të seancës së 49-të deputetët duhet të votojnë vendimin për shpallje për zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së. Anëtarët e KSHZ-së, sipas ndryshimeve, do të zgjidhen sipas modelit të vjetër. Shpallja do të zgjasë tetë ditë, me ç’rast partitë duhet të sqarohen për kandidatët e paraqitur. Kryetari i KSHZ-së duhet të jetë nga radhët e opozitës.
(MIA)