Bashkëpunimi, respekt i ndërsjellë, leverdi reciproke, hapja, gjithë përfshirja dhe ecja përpara krah për krah, si dhe zhvillimi e novacioni i përbashkët është qëllimi i iniciativës “Bashkëpunimi 16+1” ndërmjet Kinës dhe Evropës Qendrore dhe Lindore ku dhe Maqedonia ka vendin e saj të rëndësishëm në këtë iniciativë.
Maqedonia dhe Kina që nga funksionimi i makenizmit 16+1 ka nënshkruar disa marrëveshje në sferën e ekonomisë, infrastrukturës, bujqësisë, arsimit, kulturës, inovacionit…etj, ndërsa këmbimi i përgjithshëm tregtar në vitin 2016 sipas të dhënave zyrtare statistikore ka paraqitur 469 milionë dollarë. Me këtë rast, është realizuar eksport në vlerë prej 47,8 milionë dollarë, ndërsa importi prej 421,2 milionë dollarësh amerikanë.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, mediat relevante të 16 vendeve të Evropës Qendrore e Lindore që përfshijnë Poloninë, Hungarinë, Çekinë dhe Sllovakinë të Evropës Qendrore; Rumaninë, Bullgarinë, Maqedoninë, Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Shqipërinë, Bonjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi të Evropës Juglindore, si edhe vendet e detit Baltik: Lituaninë, Letoninë e Estoninë kanë vizituar disa qytete të Kinës dhe shumë institucione ekonomike, shkencore dhe kulturore për të u njohur më afër për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona.
Që nga krijimi i “Mekanizmit 16+1” në vitin 2012, shkëmbimet dhe bashkëpunimi midis Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Qendrore e Lindore janë thelluar vazhdimisht në fushën ekonomike tregtare, kulturore etj. Ato janë konkretizuar në projekte të mëdha si autostrada e hekurudha, por tani edhe në importin e prodhimeve bujqësore, duke e lidhur më ngushtë rajonin e Europës Qendrore e Lindore me tryezën e qytetarëve kinezë duke nxitur shkëmbimet mes qytetërimeve.
Përfaqësuesja e posaçme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës mbi çështjet e bashkëpunimit të Kinës me vendet e Evropës Qendrore e Lindore, Huo Yuzhen, tha për gazetarët e Evropës Qendrore dhe Lindore se bashkëpunimi midis qeverive vendore, institucioneve tjera ekonomike, kulturore dhe medieve është një pjesë e rëndësishme e ‘mekanizmit 16+1’.
“Ne dëshirojmë ta shtojmë këtë bashkëpunim edhe duke nxitur ndërveprimin e ndërmarrjeve dhe njerëzve” tha ajo.
Përfaqësuesja e posaçme e Ministrisë së Jashtme, Huo Yuzhen, vuri në dukje se shumë vende të Europës Qendrore e Lindore janë lidhur me provincat e Kinës, ndërsa rezultatet janë të dukshme.
“Sivjet do të vazhdojmë t’i nxisim këto lidhje, sipas kërkesave konkrete të të dy palëve, duke shtuar përpjekjet për ndërtimin e zonave industriale, të infrastrukturës, të bujqësisë, të turizmit, të energjisë etj., me shpresën që t’u sjellim përfitime të drejtpërdrejta popujve,” tha ajo.
Sipas Raportit me rezultatet e bashkëpunimit midis Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, gjatë pesë viteve të fundit, deri në dhjetor të vitit 2017, janë realizuar 60 binjakëzime midis provincave dhe të qyteteve dhe 100 binjakëzime qytetesh.
Midis Kinës dhe këtij rajoni evropian janë vendosur disa linja të drejtpërdrejta ajrore dhe janë në diskutim e sipër edhe disa të tjera.
Pekini dhe Muri i Madh Kinez
Pekini, kryeqyteti i Kinës, është qyteti me bazat më të shumta kërkimore- shkencore, por edhe me arsimin më të zhvilluar në Kinë. Si qendra e shkëmbimeve me botën e jashtme në shumë fusha, si politike, kulturore, ekonomiko-tregtare etj.
Pekini është qyteti kinez me më shumë monumente të trashëgimisë kulturore të listuara nga UNESCO.
Në Pekin ndodhen 7 perla të kulturës botërore. Qyteti i Ndaluar ose Pallati i Muzeut, Muri i Madh, Tempulli i Qiellit, Pallati i Verës, Varret e dinastisë Ming, Mbetjet e Zhoukoudian dhe Kanali i Madh Pekin-Hangzhou.
Muri i Madh Kinez me madhështinë dhe bukurinë e tij të rrallë është një nga 7 mrekullitë e botës moderne. Madje kinezët kanë dhe shprehjen “Kush nuk ka vizituar Murin e Madh nuk është burrë i vërtetë”.
Muri i Madh është një fortifikim për mbrojtje, me dimensionet më të mëdha në Kinën e lashtë Ai ka një gjatësi prej afro 10 mijë kilometrash, nis nga Shanhaiguani i qytetit Qinhuangdao të provincës Hebei dhe përfundon në perëndim, në Jiayuguan të provincës Gansu.
Ndërtimi i Murit të Madh filloi që në shekullin e 9-të para erës sonë.
Është e vetmja gjurmë konstruksioni e planetit që mund të shquhet nga astronautët në largësi të mëdha nga toka.
Syri i qiellit – Teleskopi më i madh në botë
Shkenca ndihmon njerëzimin. Në mes tri maleve në Dawodang të distriktit Pingtang të provincës Guizhou të Kinës Jugperëndimore, gjendet radioteleskopi më i madh në botë me një diametër 500 metra dhe njihet si teleskopi FAST.
Shkencëtarët e quajnë teleskopin me akronimin FAST nga fjalët anglisht (Five-hundred-meter Aperture Spherical radio Telescope) që është Radio-teleskop i formës sferike me diametër pesëqind metra.
Teleskopi do të na ndihmojë të hulumtojmë jetë inteligjente jashtë galaktikës sonë si dhe origjinën e gjithësisë, ka thënë drejtori i kompanisë astronomike kineze, Vu Siangling.
Procesin e lëshimit të tij astronomët e quajnë “dritë e parë” sepse shënon fotografinë e parë të gjithësisë.
Teleskopi është unik në dizajnin e tij, me 3 shtresa aktive. Shtresa e parë është e përbërë nga 2 mijë shufra apo shirita, e dyta përbëhet nga kabllot e çelikut dhe ka mbi 4 mijë shufra ndërsa e treta përmban strukturën e kabinës, prej nga ku mund të lëvizen njësitë e reflektorit. Një sinjal radio që është si dhjetëra miliarda vjet dritë larg. Për një vit punë, FAST zbuloi 10 yje pulsar.
Ura më e madhe në botë
Kina jo vetëm që është shteti me popullsi më të madh në botë, ajo poashtu mbanë rekordin edhe për shumë veprave njerëzore, si Muri Kinez, Radioteleskopi më i madh në botë dhe së fundi do të promovojë edhe Urën më të madhe në botë që kalon mbi det.
Ura është e gjatë 55 km dhe do të lidhë Pjesën Kontinentale të Kinës me Hong Kongun dhe Makaon.
Për ndërtimin e saj janë investuar 12 miliardë pound. Struktura kryesore e urës ka përfunduar në korrik dhe rruga është 55 km e gjatë, nga të cilat 23 km janë urë dhe 7 km janë tunel dhe dy ishuj artificial. Kjo e bënë urën më të madhe në botë mbi det.
Veçanërisht krenar për këtë mrekulli arkitekturore është një nga krijuesit e tij Guo Xinglin.
Ura do të zvogëlojë kohën e udhëtimit ndërmjet këtyre qyteteve nga 3.30 min në vetëm 40 min dhe kështu mundëson edhe transportin më të shpejtë të produkteve nga fabrikat në portet detare dhe aeroportet kineze duke përfshirë aeroportin e Hong Kongut, aeroportin më të ngarkuar të mallrave në botë.
Ura është ndërtuar me standardet më të larta për të përballuar të gjitha katastrofat natyrore. Ura mund të përballojë një termet me magnitudë prej 8 shkallëve Richter dhe sigurisht mund të përballojë edhe një super tajfun.
Në zonën e këtij gjiri të gjerë prej 56.500 kilometra katror, jetojnë 68 milion njerëz në 11 qytete, duke përfshirë Hong Kongun, Makaun dhe nëntë qytete në provincën Guangdong. Rajoni tashmë tregon një produktivitet të madh ekonomik.
Halit Ajdini
(MIA)