Konfirmim për mbështetjen e dakorduar deri tani për vazhdimin e procesit, si dhe tentimet për afrimin e qëndrimeve lidhur me çështjet kontestuese, përmasat e përdorimit dhe ndryshimet në Kushtetutën e Maqedonisë pritet nga takimi i sotëm mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Sofja.
Në fokus të vëmendjes së opinionit të Maqedonisë dhe Greqisë sot është tet-a-tet takimi i të dy kryeministrave, i cili do të mbahet në margjina të Samtit BE-Ballkani Perëndimor në Sofje.
Zaev dhe Cipras, siç është paralajmëruar duhet të takohen në orën 10:30 sipas kohës bullgare.
Takimi midis kryeministrit Zaev dhe Cipras ditëve të kaluara u paralajmërua si kyç në procesin e zgjidhjes së çështjes me emrin. Deklaratat e fundit, edhe nga pala e Maqedonisë edhe nga pala greke, megjithatë, janë me qëndrimin e përmbajtur se pikërisht ky takim do të kurorëzohet me marrëveshje përfundimtare për emrin.
“Dëshiroj marrëveshje për vendin tim, jam optimist dhe njëri nga të parët i cili e dëshiron atë, por nuk mund të them se kemi marrëveshje për çështjen e emrit”, tha Zaev dje dhe shfaqi shpresë se të dyja vendet do të arrijnë marrëveshje.
Është bërë përparim, por ka ende një rrugë për të kaluar, shkroi dje kryeministri grek Aleksis Cipras në Tuiter lidhur me negociatat për emrin, duke publikuar fotografi nga Samiti përgatitor i Partisë Socialiste Evropiane në Sofje, në korniza të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ku mori pjesë dhe kryeministri i Maqedonisë Zaev.
Zëdhënësi qeveritar Mile Boshnjakovski në komentin për pritjet e Qeverisë dhe shanset të mbyllet çështja e emrit në takimin e sotëm të kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, në margjinat e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Sofje, tha se ai është hap drejt zgjidhjes përfundimtare.
“Në raport të takimit të sotëm të kryeministrave Zaev dhe Cipras kryeministri Zaev dje publikisht tha se është shumë herët të pritet diçka e tillë, por mendoj se ky takim është një hap drejt zgjidhjes përfundimtare”, tha Boshnjakovski në konferencën për media .
Sipas palës greke dy çështjet që kanë mbetur për t’u zgjidhur janë erga omnes dhe rishikimi i Kushtetutës dhe ato janë me rëndësi esenciale për Greqinë, ndërsa pala tjetër duhet të bëjë lëshime, thotë ministri alternativ i Punëve të Jashtme i Greqisë, Jorgos Katrugalos.
“Bëhet fjalë për çështje që nuk janë të vogla, për të cilat Shkupi, për tani insiston. Topi është në terrenin e tyre”, thotë Katrugalos, duke shtuar se këto dy çështje për Greqinë janë me rëndësi esenciale dhe parakusht për të ekzistuar çështje dhe porosit se “ana tjetër duhet ta bëjë lëshimin e nevojshëm”.
Eurokomisari për Zgjerim Johanes Han, në intervistën për gazetën greke “Ta nea”, u shpreh i bindur se mund të arrihet zgjidhje për emrin dhe vlerëson se në Sofje nuk do të jetë pika vendimtare për atë nëse do të ketë zgjidhje, por ajo që është me rëndësi në këtë rast është cilësia e marrëveshjes.
“Duke i pasur parasysh përpjekjet të cilat i bënë të dyja palët me ndërmjetësim nga përfaqësuesi i BE-së, Methju Nimic, jam i bindur se mund të gjendet zgjidhje. Nëse kjo do të ndodhë që në Sofje nuk është pikë vendimtare, me rëndësi është cilësia e marrëveshjes. Nëse është e mundur në Sofje, do të jetë edhe më mirë. Por, më me rëndësi është vendosmëria e dy liderëve për të arritur kompromis të pranueshëm për të dy vendet. Zgjidhja nuk është e mirë vetëm për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, por edhe për gjithë rajonin”, thotë Han.
Nikoqiri i Samitit, kryeministri bullgar Bojko Borisov dje shprehu shpresën sa është e mundur më shpejtë do të zgjidhet kontesti me emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë.
Borisov këtë e deklaroi një ditë para fillimit zyrtar të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, si dhe një ditë përpara takimit të ri tet-a-tet midis kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, raporton raportuesja e MIA-s nga Sofja. (MIA)