Delegacioni i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, të udhëhequr nga kryeministrja Tereza Mej sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.
Ceremonia e mirëseardhjes së delegacionit britanik, siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, do të zhvillohet para Qeverisë të Republikës së Maqedonisë, pas së cilës është parashikuar tet-a-tet takim mes kryeministrave Zaev dhe Mej.
Sipas programit të vizitës së Mej në Maqedoni, është parashikuar edhe mbledhje bilaterale e delegacionit qeveritar të Maqedonisë dhe Britanisë së Madhe.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi do të organizojë pritje në nder të kryeministres Mej, e cila, gjithashtu do të mbajë fjalim. Të ftuar për pjesëmarrje në pritje janë politikanë, funksionarë, persona ushtarak dhe liderë të ardhshëm.
Paraprakisht kryeministrja britanike do të takohet me aktivistët e bashkësisë LGBT me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë.
Tereza Mej në Maqedoni vjen pas Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që mbahet në Sofje. Mej është kryeministrja e parë britanike e cila ka ardhur për vizitë në Ballkanin Perëndimor pas vitit 1999, kur rajonin e vizitoi ish kryeministri Toni Bler.
(MIA)